Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, përsëriti qëndrimin e klubit për ta mbajtur Julian Alvarezin pavarësisht interesit të madh të Barcelonës për transferimin e tij.
Barcelona ka treguar disa herë këtë verë se e do shumë transferimin e sulmuesit argjentinas, teksa ka bërë edhe një ofertë prej 100 milionë eurosh, e cila është refuzuar nga Atletico.
Drejtuesit e klubit nga Camp Nou po mendohen të ofrojnë rreth 120-130 milionë euro pasi dëshira e lojtarit është të transferohet te Barcelona, por Atletico nuk bindet.
Është trajneri Simeone, i cili ka konfirmuar edhe një herë se klubi ka marrë një vendim dhe Alvarez do të mbetet te Atletico Madridi.
“Situata është shumë e qartë, klubi mori një vendim që Miguel Angel e shpjegoi shumë mirë. Jemi shumë të lumtur me Julianin dhe nga një perspektivë sportive do ta ndihmojmë të vazhdojë të rritet, të vazhdojë të përmirësohet dhe të na kthejë atë që na ka dhënë në këto dy vjet, gjë që ishte një marrëveshje e shkëlqyer”, ka thënë fillimisht Simeone.
“Kemi disa probleme, e pamë tashmë çfarë ndodhi me Griezmannin, nuk shoh asnjë mënyrë tjetër përveçse të punojmë nga një perspektivë sportive siç duhet dhe të përpiqemi të ndihmojmë siç kemi bërë këto dy vitet e fundit”, përfundoi trajneri i Atleticos. /Telegrafi/
