Donald dhe Melania Trump janë të martuar prej më shumë se dy dekadash, por duket se Zonja e Parë e SHBA-së ende nuk është mësuar me disa nga zakonet e bashkëshortit të saj.
Gjatë një fjalimi në Las Vegas këtë javë, presidenti amerikan zbuloi se Melania nuk është aspak e entuziazmuar nga vallëzimi i tij tashmë i famshëm, por as nga mënyra se si ai imiton peshëngritësit gjatë paraqitjeve në skenë. Sipas Trumpit, bashkëshortja e tij mendon se një sjellje e tillë thjesht nuk është “presidenciale”.
Trump fillimisht lavdëroi filmin e bashkëshortes së tij, “Melania: Twenty Days to History”, duke e cilësuar atë si “filmin më të mirë të vitit”.
Më pas, ai foli për mënyrën se si Melania reagon ndaj paraqitjeve të tij para publikut. Trump tregoi se asaj i pengon veçanërisht momenti kur ai imiton peshëngritëset teksa flet për sportistët transgjinorë.
– YouTube youtu.be
“Ajo e urren kur imitoj burrat në sportet e grave”, tha Trump para të pranishmëve, përpara se ta përsëriste imitimin në skenë, duke ngritur duart dhe duke bërë mimika.
Presidenti amerikan tregoi edhe se si zhvillohet biseda mes tyre kur Melania e kritikon për këto paraqitje.
“I thashë: ‘Shiko, ndoshta nuk është presidenciale, por unë i fitova zgjedhjet me një diferencë të madhe, kështu që nuk e di’”, rrëfeu Trump.
Por imitimet nuk janë e vetmja gjë që nuk i pëlqen Melanias. Trump pretendoi se bashkëshortja e tij nuk është fanse as e vallëzimit të tij karakteristik, të cilin ai e ka bërë pjesë të shumë tubimeve dhe paraqitjeve publike ndër vite.
“Ajo e urren kur vallëzoj”, tha Trump, duke shtuar se vazhdimisht përpiqet t’i shpjegojë se publiku pikërisht këtë dëshiron të shohë.
“I thashë: ‘Të gjithë duan që unë të vallëzoj’”, tregoi ai. Sipas Trumpit, Melania iu përgjigj: “I dashur, kjo nuk është presidenciale.”
Trump më pas u përpoq ta bindte se njerëzit “vërtet e pëlqejnë” vallëzimin e tij, por Melania nuk u bind. Sipas tij, ajo i tha se njerëzit thjesht po silleshin “me mirësjellje” ndaj tij.
Vallëzimi karakteristik i Trumpit u bë pjesë e paraqitjeve të tij gjatë fushatës presidenciale të vitit 2020 dhe, edhe gjashtë vjet më vonë, ai vazhdon ta performojë para turmave.
Më së shpeshti, Trump e ka shoqëruar këtë vallëzim me këngën “YMCA” të grupit Village People.
Përdorimi i këngës dikur shkaktoi edhe përplasje me grupin. Victor Willis, këngëtari i Village People, kishte deklaruar publikisht se nuk e mbështeste Trumpin dhe se nga kampi i tij politik ishte kërkuar që të ndalonte përdorimin e muzikës së grupit në tubimet politike. /Telegrafi/
