Nxënësit e shkollave të mesme në Danimarkë do t’i rikthehen mësimit javën e ardhshme me rregulla më të forta për përdorimin e Al, me synim parandalimin e kopjimit gjatë detyrave dhe provimeve.
Ministri danez i Arsimit, Magnus Heunicke, njoftoi një paketë masash të menjëhershme për të luftuar përdorimin e Al për qëllime mashtrimi akademik.
Ndër masat e reja përfshihen mbrojtjet me gojë të detyrave të shkruara në shtëpi dhe përdorimi i mjeteve që monitorojnë ekranet e nxënësve gjatë provimeve.
Sipas ministrisë, shkollat e mesme të larta në Danimarkë po përballen me një rritje të rasteve të kopjimit të asistuar nga Al, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme.
Një nga ndryshimet kryesore parashikon që të gjitha testet me shkrim të zhvilluara në shtëpi të shoqërohen me një provim me gojë.
Kjo masë do të zbatohet edhe për provimin SSO, një nga provimet më të rëndësishme me shkrim, që zhvillohet çdo vit nga rreth 9 mijë nxënës të shkollave të mesme të larta.
Gjithashtu, institucionet arsimore do të duhet të përdorin sisteme monitorimi për kontrollin e ekraneve gjatë provimeve, si dhe firewall-e që filtrojnë përmbajtjet online gjatë orëve mësimore dhe periudhave të testimit.
Masa e tretë nxit shkollat që t’i organizojnë më shpesh detyrat në ambiente të kontrolluara brenda institucionit, në mënyrë që mësuesit të mund të ndjekin më nga afër procesin e punës së nxënësve dhe të bëjnë një vlerësim më të saktë.
Masat e reja janë pjesë e përpjekjeve të Danimarkës për të gjetur një ekuilibër mes përdorimit të teknologjisë së re nga brezat e rinj dhe ruajtjes së standardeve të arsimit.
