Sulmuesi brazilian Vinicius Jr. ka arritur marrëveshje për një kontratë të re gjashtëvjeçare me Real Madridin, e cila do ta mbajë atë në Santiago Bernabéu deri në vitin 2032.
26-vjeçari kishte hyrë në 12 muajt e fundit të kontratës së tij dhe së fundmi kishte tërhequr interesimin e Arsenalit.
Megjithatë, Real Madridi njoftoi të enjten se të dyja palët kanë rënë dakord për zgjatjen e marrëveshjes deri më 30 qershor 2032.
“Vinicius Jr. është bërë një nga lojtarët më të rëndësishëm në një nga periudhat më të suksesshme në historinë tonë”, thuhej në komunikatën e klubit madrilen.
Bisedimet për kontratën e re kishin ngecur për një periudhë, por Real Madridi paraqiti një ofertë të re të mërkurën dhe Vinicius raportohet se ka qenë i kënaqur me kushtet e reja.
Ai iu bashkua Real Madridit nga klubi brazilian Flamengo në vitin 2018 dhe kishte nënshkruar një zgjatje të mëparshme të kontratës tre vite më parë.
Reali dhe përfaqësuesit e lojtarit kanë qenë në negociata për një marrëveshje të re gjatë 18 muajve të fundit, por tani Vinicius pritet të vazhdojë qëndrimin në klubin që më parë e ka quajtur “klubi i ëndrrave të tij”.
Braziliani u rikthye te skuadra të hënën për stërvitjen e parë parasezonale dhe testet mjekësore pas angazhimit të tij me Brazilin në Kupën e Botës.
Vinicius ka shënuar 128 gola në 375 paraqitje me Real Madridin në të gjitha garat, ndërsa për Brazilin ka realizuar 13 gola në 54 ndeshje./Telegrafi/
