Prokuroria Themelore Publike Shkup ka paraqitur ankesë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë, me të cilin në rastin “Talir 2”, që lidhet me ndërtimin e selisë së OBRM-PDUKM‑së, u shpall aktgjykim lirues.
Nga Prokuroria informuan se prokurori kompetent e ka pranuar aktgjykimin e shkallës së parë dhe brenda afatit ligjor ka paraqitur ankesë.
Para më pak se një muaji, Gjykata Penale solli aktgjykim lirues për ish‑kryeministrin Nikola Gruevski, i cili ishte i akuzuar në rastin “Talir 2” për ndërtimin e paligjshëm të selisë së OBRM-PDUKM-së. Gjatë arsyetimit të aktgjykimit, gjyqtarja Daniela Aleksovska‑Stojanovska theksoi se vendimi rrjedh nga ndryshimet e Kodit Penal të vitit 2023, duke vlerësuar se ato kanë ndikuar ndjeshëm në elementet e veprës penale.
Sipas afateve aktuale, lënda parashkruhet në fund të gushtit, që do të thotë se nuk pritet epilog tjetër gjyqësor, por konstatim i parashkrimit. Megjithatë, edhe në një rast të tillë mbetet mundësia e procedurës së mundshme për konfiskimin e objektit të njohur si “Pallati i Bardhë” i OBRM-PDUKM‑së.
Para tre vitesh situata ishte ndryshe, kur ekzistonte aktgjykim dënues i shkallës së parë, me të cilin Gruevski u dënua me gjashtë vjet burg, Kiril Bozhinovski mori dënim me kusht dhe u shqiptua konfiskim i pasurisë së partisë. Megjithatë, aktgjykimi më vonë u anulua nga Gjykata e Apelit pas ndryshimeve të Kodit Penal, pas së cilës procedura filloi nga e para.
Ndërkohë, për shkak të parashkrimit të veprës, ndjekja penale ndaj Kiril Bozhinovskit u ndërpre, ndërsa procedura ndaj Gruevskit dhe partisë politike vazhdoi.
