Komuna e Podujevës ka reaguar ndaj deklaratave të kryeshefit ekzekutiv të KRM “Pastrimi”, Petrit Reçica, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe duke e akuzuar atë për përpjekje që përgjegjësinë për gjendjen me mbeturinat në komunë ta bartë te institucionet lokale.
Në reagimin e saj, Komuna thekson se problemi me grumbullimin e mbeturinave është shfaqur vetëm gjatë këtij viti dhe jo përgjatë katër viteve të fundit, siç pretendohet nga KRM “Pastrimi”.
Sipas Komunës, ajo ka qenë e gatshme të procedojë në Kuvend propozimin për rishikimin e tarifave të shërbimit, por vlerëson se një vendim i tillë nuk mund të merret në kohën kur, sipas saj, shërbimi i grumbullimit të mbeturinave është në nivelin më të ulët.
Komuna argumenton gjithashtu se problemi nuk lidhet vetëm me tarifat, duke theksuar se vështirësi të ngjashme me menaxhimin e mbeturinave ka edhe në komuna të tjera ku operon KRM “Pastrimi”, përfshirë edhe Prishtinën.
Në reagim thuhet se gjatë viteve 2022–2025 Komuna e Podujevës e ka subvencionuar KRM “Pastrimi” me gjithsej 100,640 euro, ndërsa në bashkëpunim me GIZ-in ka financuar regjistrimin e ekonomive familjare, me qëllim zgjerimin e bazës së konsumatorëve.
Sipas Komunës, përgjegjësi për futjen e këtyre konsumatorëve në sistemin e faturimit ka qenë menaxhmenti i KRM “Pastrimi”, por kjo nuk është realizuar.
Komuna thekson po ashtu se ndërmarrjen e ka mbështetur edhe me tre kamionë për bartjen e mbeturinave, dy të siguruar përmes donacionit të GIZ-it dhe një nga Komuna e Linzit, duke pretenduar se aktualisht të gjithë janë jashtë funksionit.
Lidhur me deklaratat e Reçicës se shpallja e gjendjes emergjente është një skenar për krijimin e krizës, Komuna i ka cilësuar ato si të papërgjegjshme, duke insistuar se gjendja me mbeturinat në Podujevë është pasojë e dështimit të KRM “Pastrimi” në kryerjen e obligimeve të saj.
Në fund të reagimit, Komuna thekson se përgjegjësia për grumbullimin dhe bartjen e mbeturinave i takon ekskluzivisht KRM “Pastrimi” dhe jo Drejtorisë së Shërbimeve Publike, duke shtuar se çdo përpjekje për ta zhvendosur fajin nuk ndryshon realitetin në terren. /Telegrafi/
