Presidenti amerikan, Donald Trump, është përplasur me sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, pasi mësoi për mungesat serioze të raketave dhe municioneve në arsenalin e Shteteve të Bashkuara, ka raportuar “The Washington Post”.
Sipas dy personave të njohur me bisedën, përplasja ndodhi të premten e kaluar në Camp David, në margjinat e një mbledhjeje të kabinetit amerikan. Trump kërkoi shpjegime nga Hegseth se përse Shtëpia e Bardhë nuk ishte informuar siç duhet për gjendjen e rezervave ushtarake shkruan Telegrafi.
Trump raportohet se i tha Hegsethit se kishte besuar që problemi me mungesën e municioneve tashmë ishte zgjidhur. Shqetësimet lidhen kryesisht me raketat e drejtuara me rreze të gjatë dhe interceptorët e mbrojtjes ajrore, mungesa e të cilëve po kufizon mundësitë e Uashingtonit për operacione të reja ushtarake kundër Iranit.
Gjatë diskutimit, Hegseth thuhet se është mbrojtur duke ia kaluar përgjegjësinë zëvendësit të tij, Stephen Feinberg, të cilin e fajësoi se nuk ishte siguruar që presidenti të informohej plotësisht për situatën.
Përplasja sinjalizon rritjen e pakënaqësisë së Trumpit me sekretarin e Mbrojtjes, i cili, sipas gazetës amerikane, ishte ndër përkrahësit kryesorë të ndërmarrjes së veprimeve ushtarake kundër Iranit dhe e kishte paraqitur operacionin si një fitore të shpejtë dhe relativisht të lehtë
Shtëpia e Bardhë i ka mohuar kategorikisht pretendimet. Zëdhënësja Karoline Leavitt e cilësoi raportimin si “tërësisht të rremë”, duke theksuar se Trump vazhdon të ketë besim të plotë te Hegseth.
Edhe Pentagoni mohoi se Hegseth kishte dhënë informacione të pasakta ose se kishte fajësuar zëvendësin e tij. Zëdhënësi Sean Parnell deklaroi se pretendimet për rezervat e shteruara, mosmarrëveshjet e brendshme dhe qëndrimin e Hegsethit ndaj Iranit janë të pavërteta./Telegrafi/.
