Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, dhe kryetarin e Kamenicës, Kadri Rahimaj, kanë përuruar përfundimin e projektit për rehabilitimin dhe asfaltimin e rrugës rajonale R124, në segmentin Shipashnicë–Desivojcë–Terstenë.
Projekti ka kushtuar rreth 3.256 milionë euro dhe përfshin rehabilitimin dhe asfaltimin e rreth 10 kilometrave të rrugës, me gjerësi afërsisht gjashtë metra.
Kurti tha se përfundimi i kësaj rruge do të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve dhe bizneseve, ndërsa e cilësoi atë të rëndësishme edhe për zhvillimin ekonomik dhe turizmin në këtë pjesë të Kamenicës.
“Mundësohet qarkullimi më i shpejtë, më i lehtë i qytetarëve edhe i bizneseve. Është rrugë e rëndësishme për bashkatdhetarët tanë, është rrugë e rëndësishme për bizneset dhe për zhvillimin ekonomik, gjithashtu është e rëndësishme edhe për turizmin e këtyre zonave të bukura të komunës së Kamenicës”, tha Kurti.
Sipas tij, punimet janë përfunduar brenda 195 ditëve pune nga operatori ekonomik.
“R124 u rehabilitua dhe u asfaltua në gjatësinë e gjithmbarshme prej rreth 10 kilometra, me gjerësi prej afër 6 metra, dhe e cila e lidh Shipashnicën me Desivojcën edhe Terstenën”, tha kryeministri në detyrë.
Kurti bëri të ditur se në kuadër të projektit është realizuar edhe shtrimi i shtresave të asfaltit dhe vendosja e sinjalizimit rrugor.
“Së pari është shtruar ajo shtresa bazike BZH 22, me trashësi rreth 7 centimetra, dhe më pastaj shtresa përfundimtare AB 11, gjithsej 11 centimetra. Është vendosur edhe sinjalizimi që të ketë siguri në trafik, edhe të qarkullimit të qytetarëve”, deklaroi ai.
Ai e vlerësoi përfundimin e projektit si një investim të rëndësishëm për banorët e kësaj zone.
“Prandaj, është gëzim, është lajm i mirë dhe urime të gjithëve!”, u shpreh Kurti. /Telegrafi/
