Një grua ka humbur jetën mëngjesin e së hënës në Pejë, pasi është goditur nga një tren që po qarkullonte në drejtim të Fushë Kosovës.
Rasti ka ndodhur rreth orës 05:35, ndërsa Policia e Kosovës është njoftuar për incidentin menjëherë pas ngjarjes.
Zëdhënësi i Trainkos, Behxhet Haziri në Pejë, ka bërë të ditur se bëhet fjalë për rastin e parë me fatalitet të shkaktuar nga treni këtë vit.
“Bëhet fjalë për rastin e parë me fatalitet të shkaktuar nga treni këtë vit”, ka thënë Haziri për Telegrafin.
Ndryshe, eksperti i komunikacionit, Faton Bunjaku, ka ngritur shqetësimin për sigurinë në vendkalimet hekurudhore në Kosovë, duke theksuar se këmbësorëve u ndalohet lëvizja përgjatë vijës hekurudhore, ndërsa problem mbeten vendkalimet e pasiguruara dhe të pasinjalizuara.
“Fatkeqësisht kemi pasur disa aksidente me raste të tilla. Në bazë të ligjit dhe rregulloreve që janë në fuqi, lëvizja e këmbësorëve nëpër vijën hekurudhore është e ndaluar. Mirëpo, problematikë e madhe në Kosovë mbeten vendkalimet hekurudhore, të cilat janë në numër jashtëzakonisht të madh dhe në shumë raste të pasinjalizuara”, ka thënë Bunjaku për Telegrafin.
Ai ka ngritur shqetësimin edhe për krijimin e kyçjeve ilegale mbi binarët hekurudhorë nga banorët që jetojnë pranë linjave hekurudhore.
“Banorët përgjatë vijës hekurudhore, për t’u qasur më lehtë në pronat e tyre, kanë krijuar kyçje ilegale mbi hekurudhë. Si rezultat i këtyre kyçjeve kemi pasur disa aksidente”, ka thënë eksperti.
Bunjaku ka vlerësuar se duhet të ketë ndërhyrje të institucioneve, përfshirë Ministrinë e Infrastrukturës dhe INFRAKOS-in, për mbylljen e këtyre qasjeve dhe rritjen e sigurisë në vendkalimet hekurudhore.
“Ministria e Infrastrukturës dhe INFRAKOS-i duhet të intervenojnë në mbylljen e kyçjeve ilegale dhe vendkalimeve të pasinjalizuara e të jashtëligjshme. Shteti duhet të marrë masa edhe ndaj atyre që kanë vendosur këto kyçje, por njëkohësisht duhet ta mbajë përgjegjësinë e vet që kalimet mbi binarët hekurudhorë, sidomos në vendet ku ka qarkullim më të madh të automjeteve, të sinjalizohen në mënyrë profesionale”, ka theksuar Bunjaku.
Bunjaku ka përmendur edhe disa prej zonave ku, sipas tij, në të kaluarën janë shënuar më shumë aksidente hekurudhore.
Sipas tij, në vendkalimet më të frekuentuara duhet të vendosen semaforë, barriera dhe sinjalistikë e përshtatshme, ndërsa në zonat ku ka qasje të shpeshtë të këmbësorëve dhe fëmijëve duhet të vendosen edhe rrethoja mbrojtëse.
Eksperti ka përmendur edhe zonat përgjatë linjave hekurudhore ku vendbanimet janë shumë pranë binarëve, duke theksuar se në këto pjesë rreziku për aksidente është më i madh.
“Linjat Fushë Kosovë–Prishtinë dhe ato që lidhin drejtimin e Shkupit dhe Pejës kanë qenë ndër zonat ku janë shënuar aksidente më të shpeshta. Linja Prishtinë–Pejë vazhdon të jetë funksionale dhe në këto pjesë kemi pasur aksidente”, ka thënë Bunjaku.
Ai ka theksuar se investimet në infrastrukturën hekurudhore duhet të jenë prioritet për institucionet, jo vetëm për rritjen e sigurisë, por edhe për zhvillimin e transportit hekurudhor në vends, ku në afërsi të linjave hekurudhore në Fushë Kosovë ka vendbanime të komuniteteve minoritare dhe qarkullim të shpeshtë të këmbësorëve, duke rritur rrezikun për incidente dhe aksidente.
“Ministria e Infrastrukturës, përkatësisht INFRAKOS-i që merret me menaxhimin e infrastrukturës hekurudhore, është dashur të merret më shumë me këtë pjesë. INFRAKOS-i është në gjendje të rëndë financiare, por kjo është një pjesë që patjetër duhet të trajtohet”, ka thënë Bunjaku.
Sipas tij, transporti hekurudhor mbetet një prej mënyrave më të lira të transportit dhe investimet në këtë sektor mund të ndikojnë edhe në uljen e kostove të transportit të produkteve brenda vendit.
Bunjaku ka theksuar se numri i viktimave në aksidente hekurudhore në Kosovë është relativisht i ulët, por kjo nuk duhet të krijojë përshtypjen se situata është e sigurt.
“Nëse kjo është viktima e parë, nuk është aksidenti i parë, sepse kemi pasur edhe raste të tjera brenda këtij viti në hekurudhë. Nëse kjo është viktima e parë, ne si shtet duhet të synojmë të mos kemi asnjë aksident tjetër me fatalitet. Situata është alarmante dhe duhet të rritet përgjegjësia e shtetit dhe siguria”, ka përfunduar Bunjaku. /Telegrafi/
