Phil Foden ka zbuluar se është impresionuar nga ndryshimet që Enzo Maresca ka sjellë te Manchester City gjatë fazës përgatitore, duke vlerësuar idetë e reja të trajnerit italian pas largimit të Pep Guardiolës.
Maresca mori drejtimin e kampionëve të Anglisë pas përfundimit të epokës dhjetëvjeçare të Guardiolës në “Etihad”, periudhë gjatë së cilës spanjolli fitoi 20 trofe me klubin.
Foden ka kaluar gjithë karrierën e tij te Manchester City nën drejtimin e Guardiolës, i cili i dha debutimin me ekipin e parë në vitin 2017. Vetëm Bernardo Silva (460), Kevin De Bruyne (381) dhe Ederson (372) kanë zhvilluar më shumë ndeshje nën drejtimin e Guardiolës sesa Foden, i cili numëron 369 paraqitje – madje më shumë se 150 ndeshje më tepër se Lionel Messi me trajnerin spanjoll te Barcelona.
Mesfushori anglez regjistroi 13 gola dhe tetë asistime në sezonin 2025/26, duke kontribuar në 21 gola në të gjitha garat. Edhe pse kjo ishte një përmirësim krahasuar me sezonin paraprak, shifrat mbetën nën nivelin që kishte arritur në katër sezonet paraardhëse.
Tashmë, 26-vjeçari beson se idetë e reja të Marescas mund ta ndihmojnë Manchester Cityn të rikthehet edhe më i fortë.
“Ta them të drejtën, më ka pëlqyer shumë. Gjithçka që kam njohur deri tani ka qenë Pep Guardiola, kështu që ky është një fillim i ri”.
“Po e shijoj stafin e ri, mënyrën se si po luajmë dhe atë që po bëjmë në stërvitje. Jam shumë i emocionuar për sezonin dhe shpresoj të kemi një vit të mirë”.
Foden nuk deshi të zbulonte shumë nga planet taktike të Marescas, por pranoi se janë bërë disa ndryshime të rëndësishme.
“Nuk dua të tregoj shumë për mënyrën se si do të luajmë, por ndoshta mënyra se si mbrohemi është paksa ndryshe”.
“Kemi ide të tjera për ndërtimin e lojës nga prapa dhe më shumë alternativa me topin. Mendoj se djemtë janë shumë komodë me këtë, sepse gjithmonë kemi dashur të luajmë futboll nga mbrojtja dhe të krijojmë raste. Besoj se kjo i përshtatet të gjithëve”.
I pyetur nëse kishte zhvilluar bisedime me Marescan për rolin e tij në skuadër, Foden tha se ende nuk kanë diskutuar për këtë çështje.
“Nuk kemi pasur ende biseda të tilla”.
“Megjithatë, ajo që ai kërkon nga unë është të jem shembull për lojtarët e rinj gjatë këtij turneu, të stërvitem mirë, të qëndroj me këmbë në tokë dhe të punoj fort”./Telegrafi/
