Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka mbajtur sot takimin e dytë publik me qytetarë, ku ka prezantuar raportin për punët, projektet dhe investimet e realizuara gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2025.
Gjatë adresimit të tij, kryetari Aliu ka paraqitur projektet e përfunduara dhe ato në zhvillim në sektorë të rëndësishëm si infrastruktura, arsimi, shëndetësia, mirëqenia sociale dhe shërbimet publike. Ai theksoi se buxheti i Komunës së Shtimes për vitin 2025 ka qenë mbi 11 milionë euro, duke mundësuar realizimin e projekteve me ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Kjo ishte një periudhë e mbushur me angazhim të vazhdueshëm dhe rezultate konkrete që kanë zgjidhur probleme dhe kanë lehtësuar jetën e qytetarëve tanë. Ky ishte gjashtëmujori i fundit i kapitullit të punës në mandatin e parë, ndërsa mandati i ri na gjen me përgjegjësi edhe më të madhe dhe me shumë punë përpara”, ka deklaruar kryetari Aliu.
Në fushën e arsimit, ai njoftoi për rritjen e subvencioneve, funksionalizimin e katër çerdheve ku aktualisht përfitojnë rreth 250 fëmijë, si dhe investime pothuajse në të gjitha shkollat e komunës. Po ashtu, gjatë këtij viti janë ndarë 120 bursa për studentët nga Komuna e Shtimes.
Sa i përket infrastrukturës, kryetari Aliu veçoi projektet e kanalizimeve atmosferike, ndriçimit publik, realizimin e projektit të unazës së brendshme, si dhe ndërtimin dhe rivitalizimin e shumë rrugëve lokale, përfshirë rrugët e reja të Malësisë në fshatrat Topillë, Rancë dhe Devetak.
Një nga projektet më të rëndësishme, sipas tij, është rrënimi i objektit përpara ndërtesës së komunës, që do të hapë rrugë për realizimin e projektit të sheshit të qytetit dhe ndërtimin e parkingut nëntokësor.
Kryetari Aliu foli gjithashtu për investimet në shëndetësi dhe mirëqenie sociale, duke përmendur vazhdimin e punimeve për ndërtimin e objektit të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, ndërtimin e entit special, objektit të administratës komunale dhe rregullimin e shtratit të lumit, projekte këto me vlera milionëshe.
Në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, ai theksoi investimet në sallat sportive, subvencionimin e botuesve të rinj, organizimin e festivalit tradicional “FolkFest”, mbajtjen për herë të parë të festivalit për fëmijë në Shtime, si dhe themelimin e Korit të Qytetit, krahas aktiviteteve të tjera kulturore.
Po ashtu, kryetari njoftoi për fillimin e punimeve për ndërtimin e Varrezave të Dëshmorëve në Shtime, projekt ky me vlerë rreth gjysmë milioni euro.
Në përmbyllje, kryetari Qemajl Aliu ka ritheksuar përkushtimin e tij dhe të qeverisjes komunale për vazhdimin e punës në shërbim të qytetarëve dhe për përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së jetës në Komunën e Shtimes. /Telegrafi/