Ish-kampioni i UFC-së, Conor McGregor, ka vendosur t’u japë një ditë pushimi rreth 400 punonjësve të tij në vende të ndryshme të botës, me rastin e lansimit të lojës së shumëpritur Grand Theft Auto VI (GTA 6).
Përmes një postimi në rrjetin social X, McGregor njoftoi se të gjithë punonjësit e tij mund të marrin pushim më 19 nëntor për të shijuar lojën e re.
“E keni gjithë ditën e nesërme pushim! Shijojeni lojën!”, shkroi McGregor, pa specifikuar se cilat nga bizneset e tij përfshihen në këtë vendim.
Por McGregor nuk është i vetmi që ka ndërmarrë një veprim të tillë.
Kompania Pocketpair, e njohur për lojën Palworld, u ka dhënë punonjësve pushim nga 19 deri më 23 nëntor, ndërsa Logitech ka prezantuar një ditë fleksibile pushimi, të quajtur “Logi Game Day”, të cilën punonjësit mund ta shfrytëzojnë deri në fund të vitit 2027.
Interesimi për GTA 6 është aq i madh sa, sipas vlerësimeve të përmendura në raportim, rreth 1.5 milion amerikanë planifikuan të mungonin në punë në ditën e lansimit.
GTA 6, e zhvilluar nga Rockstar Games, është një nga videolojërat më të shumëpritura në histori, ndërsa lansimi i saj ka nxitur interesim të jashtëzakonshëm në industrinë e lojërave dhe më gjerë. /Telegrafi/

