Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka bërë të ditur se sot është vënë gurthemeli për ndërtimin e Nënstacionit të ri energjetik 220/35/10(20) kV në Malishevë, projekt ky që synon rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji elektrike për qytetarët dhe bizneset lokale.
Sipas Kastratit, ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt stabilizimit energjetik në komunë, e cila për vite me radhë është përballur me ndërprerje të shpeshta të rrymës.
“Sot shënojmë një moment të rëndësishëm për komunën tonë, vënien e gurthemelit për ndërtimin e Nënstacionit të ri 220/35/10(20) kV në Malishevë, një projekt i shumëpritur që ka rëndësi të madhe për sigurinë dhe cilësinë e furnizimit me energji elektrike në komunën tonë dhe më gjerë”, ka shkruar Kastrati në Facebook.
Ai theksoi se përfitues të drejtpërdrejtë të këtij investimi do të jenë familjet, mërgata dhe sektori privat, të cilët janë prekur rëndë nga problemet energjetike në vitet e fundit.
“Ky është një lajm i mirë për çdo familje të Malishevës, për mërgatën tonë që na viziton gjatë festave, si dhe për bizneset tona lokale, të cilat për vite me radhë janë përballur me ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike”, bëri të ditur ai.
Megjithatë, kryetari i Malishevës ngriti edhe kritika ndaj institucioneve qendrore për, siç tha ai, trajtim të pabarabartë të komunës ndër vite.
“Për shumë vite me radhë, Malisheva është diskriminuar nga institucionet e nivelit qendror. Katër dimra radhazi, qytetarët tanë kanë mbetur pa energji elektrike, me ndërprerje të vazhdueshme që ua kanë prishur festat familjare, kanë dëmtuar bizneset dhe kanë krijuar pasiguri të vazhdueshme në jetën e përditshme”, shtoi Kastrati.
Ai theksoi se komuna nuk ka kërkuar privilegje, por vetëm trajtim të barabartë dhe respekt institucional.
“Malisheva nuk ka kërkuar asgjë më shumë se trajtim të barabartë dhe respekt institucional. Kjo situatë nuk ka qenë e drejtë dhe nuk duhet të përsëritet më”, thuhet në postimin e tij.
Në fund, Kastrati kërkoi që projekti të përfundojë brenda afatit të paralajmëruar prej 13 muajsh, duke paralajmëruar se do të kërkojë llogaridhënie për realizimin e tij të plotë.
“Pres dhe uroj që ky projekt të përfundojë brenda afatit prej 13 muajsh dhe të mos mbetet një tjetër projekt i nisur e i lënë përgjysmë. Si kryetar i komunës, do të jem zë i fuqishëm i qytetarëve dhe do të kërkoj llogaridhënie që ky projekt të realizohet plotësisht dhe në kohë”, përfundoi Kastrati. /Telegrafi/