Komuna e Pejës ka njoftuar se sot është realizuar faza e dytë e shpërndarjes së traktorëve për fermerët përfitues, në kuadër të Thirrjes Publike “Furnizim me mekanizëm bujqësor – Traktor”.
Në këtë fazë, 16 fermerëve përfitues iu dorëzuan traktorët, ndërsa projekti bashkëfinancohet nga Komuna e Pejës dhe fermerët përfitues.
Në ceremoninë e shpërndarjes morën pjesë kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, nënkryetari Fatmir Asllani dhe drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Hidroekonomi, Tahir Shala.
Drejtori Shala vlerësoi interesimin e madh të fermerëve, duke theksuar se pajisja me mekanizëm modern pritet të ndikojë në rritjen e produktivitetit bujqësor dhe zhvillimin e ekonomive familjare në zonat rurale.
Sipas njoftimit, projekti pritet të përfundojë deri më 20 gusht. /Telegrafi/
