Shefi i grupit të asamblistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Egzon Pacolli, ka mohuar të ketë premtuar punësimin e bashkëshortes së një delegati të partisë, pas publikimit të një audio-incizimi në emisionin “Debat Plus”.
Në audio-incizim dëgjohet një bisedë mes Pacollit, zyrtarit të Komunës së Prishtinës, Gentrit Syla, dhe një delegati të LDK-së, ku pretendohet se diskutohet për punësimin e bashkëshortes së delegatit përmes një konkursi.
I kyçur përmes telefonit në emision, Pacolli tha se nuk ka kompetenca për të punësuar askënd dhe hodhi poshtë pretendimet që dalin nga audio-incizimi.
“Nuk e di çka ka rrjedhur në këtë audio-incizim. Unë nuk e kam në kompetencë askënd me punësu. Nuk bëj premtime si Lumir Abdixhiku, që ai zotnia u bën premtime të llojllojshme delegatëve. Unë nuk jam Lumiri me bo këso incizime. As nuk bëj kërcënime ndaj delegatëve apo asamblistëve dhe as nuk u bëj premtime”, deklaroi Pacolli.
Ai pretendoi se audio-incizimi është montuar dhe është përdorur për ta shantazhuar atë dhe bashkëpunëtorët e tij, pas qëndrimeve të tyre kundër kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Ky incizim që paska dalë, unë nuk jam i përfshirë fare. Më ka thirrur Gentriti për një çështje krejt tjetër, por për çfarë e ka përdorur grupi montues i Lumir Abdixhikut, unë nuk e di. Këto janë metoda të Dejona Mihalit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, edhe metodat e punësimit edhe të incizimit. Unë nuk jam person që punësoj njerëz aty”, u shpreh ai.
– YouTube www.youtube.com
