Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Policinë e Kosovës, ka realizuar kontrolle në disa lokacione në kuadër të një hetimi penal lidhur me dyshimet për falsifikim të dokumenteve gjatë importimit dhe zhdoganimit të veturave nga Koreja e Jugut.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, kontrollet janë kryer në shtëpitë e personave të dyshuar në Vushtrri, me qëllim të gjetjes dhe sigurimit të provave materiale që mund të jenë relevante për procedurën penale.
“Veprimet hetimore janë ndërmarrë në kuadër të hetimeve lidhur me dyshimin e bazuar se të pandehurit, me dashje, në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, kanë falsifikuar dhe përdorur dokumente të falsifikuara publike gjatë procedurës së importimit dhe zhdoganimit të automjeteve”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas dyshimeve të ngritura, dokumentet e falsifikuara dyshohet se kanë qenë libreza koreane të automjeteve, ku janë manipuluar të dhënat për vitin e regjistrimit të parë të veturave.
“Me datë 06.07.2026, të pandehurit kanë përdorur dokumente të falsifikuara – librezat koreane të automjeteve duke manipuluar të dhënat që lidhen me datën e regjistrimit të parë të automjeteve, konkretisht, në dokumentet përkatëse është ndryshuar viti i regjistrimit të parë nga 2015 në 2016, me qëllim që automjetet të paraqiteshin si jo më të vjetra se dhjetë vjet dhe, në këtë mënyrë, të mundësohej importimi i tyre në Republikën e Kosovës”, ka bërë të ditur Prokuroria.
Sipas organit të akuzës, dokumentet e dyshuara si të falsifikuara janë përdorur gjatë procedurave të importit dhe zhdoganimit të pesë automjeteve, për të cilat ishin lëshuar Deklarata Unike Doganore (DUD).
“Pesë (5) veturat të cilave dyshohet se u janë falsifikuar dokumentet janë sekuestruar”, thuhet në njoftim.
Prokuroria dyshon se personat e përfshirë kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur se, në koordinim me Doganën e Kosovës dhe Policinë e Kosovës, do të vazhdojë hetimet me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe sigurimit të provave të nevojshme për këtë rast. /Telegrafi/
