Në kuadër të Expo Real Kosova 2026, ekspertë dhe përfaqësues të sektorit diskutuan për zhvillimet që po e formësojnë tregun e patundshmërive në vend.
Në panelin me temën “Tregu i patundshmërive, kushtet e ndërtimit dhe investimi në Kosovë” u trajtuan gjendja aktuale e sektorit, ndryshimet në kërkesat e klientëve, sfidat ligjore dhe institucionale, si dhe mundësitë për tërheqjen e investimeve vendore dhe ndërkombëtare.
Paneli u moderua nga Sherife Kçiku-Vishaj, ndërsa pjesë e diskutimit ishin Krenar Batusha, drejtor ekzekutiv i Pro Real Estate, Besnik Vasolli, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike të Kosovës, dhe Valon Vataj, kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve të Kosovës.
Duke folur për zhvillimet në tregun e patundshmërive, Krenar Batusha theksoi se rritja e çmimeve gjatë viteve të fundit e ka bërë më të vështirë blerjen e një prone për shtresat me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Megjithatë, sipas tij, kërkesa vazhdon të jetë e lartë.
“Pavarësisht rritjes së çmimeve dhe vështirësive që kanë shtresat me të ardhura të ulëta dhe të mesme për të blerë pronë, ne si kompani vazhdojmë të shënojmë rritje të kërkesës. Tregu i patundshmërive në Kosovë ka vazhduar të zhvillohet, i ndihmuar edhe nga kërkesa e diasporës”, deklaroi Batusha.
Foto: Telegrafi
Ai tregoi se banesat vazhdojnë të jenë pronat më të kërkuara, por gjatë viteve të fundit është rritur dukshëm edhe interesimi për toka, shtëpi dhe lagje banimi.
“Kërkesa për banesa vazhdon të dominojë, për shkak të krijimit të familjeve të reja dhe nevojës së vazhdueshme për banim. Megjithatë, kërkesa për toka dhe shtëpi është rritur shumë, sidomos pas pandemisë, kur klientët filluan të kërkojnë më shumë hapësirë”, tha ai.
Sipas Batushës, zhvillimi i bizneseve në Kosovë ka ndikuar edhe në rritjen e kapacitetit të tyre për investime. Ai tha se tregu tashmë përfshin kompani dhe klientë seriozë që shqyrtojnë prona dhe projekte me vlera disamilionëshe.
Besnik Vasolli e vlerësoi klimën e investimeve dhe zhvillimit të sektorit si të mirë, por theksoi se ekziston hapësirë e madhe për përmirësim dhe se nevojitet më shumë parashikueshmëri dhe trajtim strategjik nga institucionet.
“Klimën në Kosovë e shohim si mjaft të mirë, por me shumë mundësi për përmirësim. Mbi të gjitha, na nevojitet më shumë parashikueshmëri, një ofertë më e qartë dhe trajtim strategjik i kësaj fushe”, deklaroi Vasolli.
Ai shtoi se zhvillimi i sektorit të patundshmërive mund ta ndihmojë Kosovën në tërheqjen e investitorëve më të mëdhenj ndërkombëtarë, të cilët mund ta konsiderojnë vendin si një lokacion strategjik për investime.
“Kur një investitor i huaj dëshiron të investojë në prona, ai nuk pyet vetëm për çmimin e pronës ose tokës dhe nivelin e pagave. Ai dëshiron të dijë nëse prona është juridikisht e pastër, sa zgjat marrja e lejeve të ndërtimit, nëse zbatohen kontratat dhe nëse ekziston siguri ligjore”, tha Vasolli.
Sipas tij, investitorët kërkojnë gjithashtu trajtim të barabartë me investitorët vendorë, infrastrukturë të qëndrueshme dhe të besueshme, përfshirë rrugët dhe furnizimin me ujë, si dhe mundësinë për të siguruar fuqi punëtore të kualifikuar.
Vasolli theksoi se siguria ligjore është një nga kushtet kryesore që mund t’i bindë investitorët e huaj të investojnë në Kosovë.
Valon Vataj, kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve të Kosovës, tha se sektori i ndërtimit ndodhet në një fazë tranzicioni dhe se vendi duhet të kalojë nga faza e përmbushjes së nevojave emergjente për banim drejt një niveli tjetër të zhvillimit.
“Sektorin e ndërtimit në Kosovë e shoh në një fazë tranzicioni. Faza emergjente e banimit besoj se ka kaluar dhe tani Kosova duhet të kalojë në një nivel tjetër të ndërtimit. Ende nuk kemi një ofertë që i përcjell plotësisht trendet e zhvillimit të ndërtimit në botë”, deklaroi Vataj.
Ai theksoi nevojën për hartimin e një strategjie kombëtare për zhvillimin e sektorit të ndërtimit dhe tërheqjen e investimeve të jashtme.
“Kosovës i duhet një strategji kombëtare për zhvillimin e ndërtimit dhe tërheqjen e investimeve të huaja. Vendi mund të krijojë një zonë ekonomike që ofron kushte të favorshme për investime”, tha Vataj.
Sipas tij, Kosova tashmë ka arritur ta përmbushë në masë të madhe nevojën për banim, ndërsa tani duhet të përqendrohet në sjelljen e inovacioneve dhe formave të reja të ndërtimit.
Vataj foli edhe për problemet ligjore me të cilat përballet sektori, duke përmendur mungesën e hartave zonale, procesin e legalizimit dhe numrin e madh të objekteve të palegalizuara.
Ai vlerësoi se mungesa e vullnetit institucional po e ngadalëson zgjidhjen e këtyre problemeve dhe krijimin e një perspektive të re për sektorin e ndërtimit në Kosovë.
Vataj theksoi gjithashtu potencialin e turizmit malor, të cilin e konsideroi një treg ende të pashfrytëzuar për investime, për shkak të mungesës së planeve zhvillimore dhe hartave zonale nga komunat.
Në fund, ai i ftoi kompanitë e ndërtimit dhe investitorët të bëhen pjesë e Shoqatës së Ndërtuesve të Kosovës dhe t’i adresojnë së bashku problemet me të cilat përballen.
“Vetëm të bashkuar mund t’i trajtojmë dhe t’i zgjidhim këto probleme, sepse në mënyrë individuale është shumë më e vështirë të arrihen ndryshimet e nevojshme”, përfundoi Vataj.
Foto: Telegrafi
Paneli në Expo Real Kosova 2026 vuri në pah se tregu i patundshmërive dhe sektori i ndërtimit vazhdojnë të kenë potencial të madh zhvillimi. Megjithatë, avancimi i tyre kërkon siguri më të madhe ligjore, procese më të qarta administrative, planifikim strategjik dhe bashkëpunim ndërmjet institucioneve, kompanive dhe investitorëve.
