Raphinha nuk do të largohet nga Barcelona gjatë kësaj vere, pasi sulmuesi brazilian ka refuzuar një ofertë shumë fitimprurëse nga Al Hilal, duke zgjedhur të vazhdojë karrierën në “Camp Nou” nën drejtimin e Hansi Flick.
Sipas Sport, klubi saudit kishte përgatitur një ofertë të rëndësishme si për Barcelonën ashtu edhe për vetë lojtarin, duke i garantuar këtij të fundit një pagë shumë më të lartë se ajo që përfiton aktualisht në La Liga.
Megjithatë, 29-vjeçari nuk pranoi të transferohej në Arabinë Saudite.
Pas refuzimit të Raphinhas, Al Hilal ka ndryshuar menjëherë objektivin dhe është shumë pranë transferimit të anësorit holandez Crysencio Summerville nga West Ham.
Marrëveshja pritet të arrijë vlerën e 55 milionë euro, me edhe 10 milionë të tjera në formë bonusesh, duke e çuar totalin në 65 milionë euro.
Me afrimin e Summerville, Al Hilal konsiderohet se ka mbyllur nevojën për një sulmues krahu, çka e bën të pamundur një rikthim të interesimit për Raphinhan gjatë këtij afati kalimtar.
Braziliani mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj Barcelonës, me të cilën ka kontratë deri më 30 qershor 2028.
Ai rinovoi marrëveshjen në maj të vitit 2025 dhe beson se do të ketë një rol të rëndësishëm në projektin e Hansi Flick, pavarësisht konkurrencës së shtuar në repartin ofensiv.
Drejtuesit e Barcelonës nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për ta nxjerrë në shitje lojtarin, ndërsa çdo transferim do të ishte i mundur vetëm nëse vetë Raphinha do të jepte miratimin e tij.
Pas një sezoni të shoqëruar me probleme fizike, reprezentuesi brazilian synon të rikthehet në formën më të mirë, të fitojë sërish një vend titullari dhe të jetë një nga protagonistët e Barcelonës në La Liga dhe në garat evropiane.
Edhe pse afati kalimtar vazhdon të jetë e hapur dhe klube të tjera mund të shfaqin interes, aktualisht nuk ka asnjë ofertë konkrete për Raphinhan, i cili pritet t’i bashkohet përgatitjeve të Barcelonës për sezonin e ri. /Telegrafi/
