Një konflikt i vjetër pronësie për një copë tokë në Kosovë ka kulmuar në një rrahje në rrugët e qytetit të Schlierenit afër Zürichut, duke bërë që një 59-vjeçar kosovar të përfundojë në spital, pasi u neutralizuaa me elektroshok nga policia.
Sipas gazetës zvicerane “Limmattaler Zeitung”, ngjarja ka ndodhur kur kosovari, i cili merr një pension invaliditeti dhe jeton në rajonin Aarau-Lenzburg, vendosi t’i zgjidhë mosmarrëveshjet e pronës “sipas zakonit të vjetër”. Pasi gjeti adresën e familjes me të cilën kishte konfliktin përmes një restoranti lokal, ai shkoi direkt në shtëpinë e saj për t’u konfrontuar.
Konflikti doli menjëherë jashtë kontrollit. Fillimisht, burri kërcënoi me jetë një grua, e cila nga frika thirri në ndihmë dy djemtë e saj. Kur djali i vogël doli për të sqaruar situatën, 59-vjeçari zgjidhi qenin nga litari dhe u përpoq ta godiste. Djali u mbrojt duke e goditur me grusht në fytyrë, gjë që e mllefosi edhe më shumë sulmuesin.
Ai nxori nga bagazhi i makinës një çekan, të cilin ia hodhi disa herë të riut, si dhe një shufër hekuri me të cilën goditi në gjunjë e krahë djalin tjetër të familjes kundërshtare që sapo kishte mbërritur në vendngjarje. Rrahja përfundoi me goditje të dyanshme grushtesh, derisa në vendngjarje mbërriti policia zvicerane.
Edhe pas mbërritjes së forcave të rendit, 59-vjeçari refuzoi të qetësohej. Gjatë momentit të arrestimit ai u tregua aq agresiv sa mundi t’u shkëputej nga duart policëve, çka detyroi këta të fundit të përdornin pistoletën me elektroshok për ta neutralizuar me rrymë elektrike.
Nga kjo rrahje, si 59-vjeçari ashtu edhe 25-vjeçari përfunduan në spital me lëndime të rënda. Prokuroria e Zürichut e dënoi së fundmi pensionistin me një gjobë me kusht prej 180 ditësh dhe 1000 franga shpenzime gjyqësore për kërcënim, pjesëmarrje në përleshje dhe rezistencë ndaj policisë. Dënim me gjobë me kusht mori edhe djali 25-vjeçar i familjes tjetër për shkak se u përfshi me vetëdije në rrahje, ndërsa për vëllanë e tij më të vogël po zhvillohet një procedurë e veçantë në gjykatën për të mitur. /Telegrafi/
