Analisti Ben Andoni, i ftuar këtë të shtunë në Balkan Talks me Franko Egro në Euronews, ka folur lidhur me deklaratat e ministres serbe për spastrimin etnik të Kosovës.
I angazhuar ndër vite për çështje të ndryshme rreth Kosovës, Andoni u shpreh se filozofia politike serbe momentalisht ka kaluar deri në urrejtje patologjike në marrëdhëniet me shqiptarët.
“Paradoksi është që zoti Daçiç është shprehur dhe e ka thelluar akoma më shumë informacionin, jo thjesht për vizionin që kanë ata, por për mënyrën se si politika dhe filozofia politike sllave serbe në këto momente është katandisur. Politika e tyre, filozofia e tyre ka qenë e ashpër, e tmerrshme me shqiptarët, por ka pasur një tharm filozofik idhnak ndaj shqiptarëve. Kurse këta që janë tani, jo vetëm idhnakë nuk janë, por këta janë deri në nivele monstruoze, me urrejtje patologjike, që tregon se s’kanë asnjë bazament empatik, kulturologjik, filozofik. Dhe zotëria është shprehur duke dashur të hapë lojën edhe me të tjerë, që pjesëtarët e tjerë e thonë, por nuk e deklarojnë”, tha ai.
Lidhur me ministren serbe Snezana Paunoviq, ai tha se ajo është ministre e një qeverie që ka marrë përsipër të gjitha borxhet e ish-Jugosllavisë, të gjitha detyrimet e kontratave.
“Zonja është marrë edhe me elemente të tjerë, edhe me familjen e Jasharit dhe mënyrën se si e shikon Kosovën etj. Dhe në këtë sens, çfarëdo që thuhet sot, problemi është jashtëzakonisht i madh, sepse thënia nuk është shkëputur nga konteksti. Bazamenti është shumë i madh, jo thjesht spastrim etnik, por zonja nuk ka parasysh fare konceptet se si ka funksionuar ish-republika federale, siç u katandis, dhe si ka mundësi nuk ka reflektuar pas 140.000 viktimave, dhe diçka… Ajo është ministre e një qeverie që ka marrë përsipër të gjitha borxhet e ish-Jugosllavisë, të gjitha detyrimet e kontratave, dhe një njeri i tillë, i cili përfaqëson këtë qeveri dhe shprehet në këtë mënyrë, tregon që qeveria e zotit Macut, i cili është viktimë në këto raste, është pothuajse krejt e amullt”, u shpreh Andoni.
– YouTube www.youtube.com
