Analisti dhe profesori i Universitetit Johns Hopkins në Uashington, Daniel Serwer, ka vlerësuar për televizionin N1 se nisja e dialogut strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë është “një hap i madh”, por se ai nuk mund të parashikojë se çfarë do të dalë nga ky proces, pasi shumëçka do të varet nga rrethanat.
Sipas tij, ky dialog është gjithashtu “një arritje e madhe parazgjedhore” për presidentin serb Aleksandar Vuçiq, shkruan danas.
“Është mjaft befasuese që të organizohet diçka e tillë vetëm disa muaj para zgjedhjeve. Kjo tregon qartë gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për t’i ofruar mbështetje Vuçiqit, i cili më herët është ankuar ashpër se amerikanët po përpiqen të mbështesin një revolucion kundër tij”, ka deklaruar Serwer.
Ai ka thënë se SHBA-ja do të përpiqet ta orientojë Serbinë drejt një perspektive më pro-perëndimore.
Megjithatë, Serwer ka kritikuar faktin që Uashingtoni, sipas tij, mund të jetë i gatshëm të anashkalojë çështje si “rritja e represionit dhe sjellja autokratike e Vuçiçqit”, si dhe veprimet e Beogradit lidhur me sulmin në Banjskë në veri të Kosovës, sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe rrëmbimin e tre policëve shqiptarë të Kosovës.
Sipas tij, “Beogradi është shumë i aftë t’u japë amerikanëve vetëm gjysmën e asaj që kërkojnë”. Ai përmendi si shembull vizitën e Vuçiqit në kryeqytetin ukrainas, Kiev, duke e cilësuar atë si një “gjysmë-koncesion”.
Serwer vlerëson se Uashingtoni nuk kërkon nga Ballkani asgjë më shumë sesa stabilitet dhe se SHBA-ja e sheh Beogradin si një aktor që ka kapacitet për të destabilizuar situatën.
“Për këtë arsye, amerikanët janë të gatshëm të anashkalojnë sjelljen e Vuçiqit në politikën e brendshme dhe të përpiqen ta bindin atë për bashkëpunim në çështjet ndërkombëtare, në mënyrë që të pengojnë veprime që mund të destabilizojnë veriun e Kosovës, Republikën Serbe apo edhe Malin e Zi”, ka thënë ai. /Telegrafi/
