Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë marrë pjesë në konferencën “European Partnership Flight”, të organizuar nga Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara për Evropë (USAFE).
Lajmin e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili tha se aktiviteti kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimin e kapaciteteve në fushën e aviacionit ushtarak.
Sipas tij, gjatë konferencës janë zhvilluar ligjërata profesionale, diskutime tematike dhe punë në grupe, ku përfaqësuesit e vendeve partnere kanë shkëmbyer përvoja, praktika të mira dhe ekspertizë në fushën e operacioneve ajrore dhe zhvillimit të kapaciteteve.
Në kuadër të këtij aktiviteti, pjesëmarrësit kanë vizituar edhe Bazën Ajrore në Kuçovë të Shqipërisë, ku janë njohur nga afër me kapacitetet dhe zhvillimet e kësaj infrastrukture të rëndësishme ushtarake.
Maqedonci ka vlerësuar se pjesëmarrja e FSK-së në këtë konferencë dëshmon angazhimin për ngritjen e kapaciteteve profesionale, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe thellimin e bashkëpunimit me partnerët strategjikë.
Sipas tij, këto aktivitete kontribuojnë në ndërtimin e një force moderne dhe të aftë për të kontribuar në sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.
