Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus” ka reaguar ndaj deklaratës së Eparkisë së Rashkës-Prizrenit, duke e cilësuar atë si një përmbledhje të narrativave manipuluese të Serbisë, që sipas institutit, mbron në mënyrë implicite ministren Paunoviq pas deklaratave të saj për “spastrimin etnik të Kosovës”.
Në reagimin e publikuar në Facebook, Instituti “Octopus” vlerëson se deklarata e Eparkisë synon të largojë vëmendjen nga përgjegjësia politike e Beogradit.
“Instituti për Studime të Luftës Hibride ‘Octopus’ e vlerëson deklaratën e Eparkisë së Rashkës-Prizrenit si një përmbledhje të narrativave manipuluese të Serbisë, e cila mbron në mënyrë implicite ministren Paunoviq. Pas reagimeve të ashpra ndërkombëtare ndaj deklaratës për ‘spastrimin etnik të Kosovës’, Eparkia tenton shpërqendrimin nga përgjegjësia politike e Beogradit, duke përsëritur pretendimet viktimizuese për ‘diskriminimin, shtypjen dhe terrorin’ ndaj serbëve në Kosovë”, thuhet në reagim.
Sipas institutit, deklarata e Kishës Ortodokse Serbe përdor një gjuhë që tejkalon shqetësimet për të drejtat fetare dhe përsërit narrativa politike.
“Deklarata ‘Pozita gjithnjë e më e rëndë e popullit serb dhe e Kishës në Kosovë e Metohi’ përdor një gjuhë që tejkalon shqetësimet për të drejtat fetare, duke përsëritur narrativën se gjoja serbët në Kosovë po përballen me ‘zhdukje të plotë’. Një formulim i tillë nuk ka për qëllim vetëm manipulimin e opinionit ndërkombëtar, por edhe arsyetimin e deklaratës së Paunoviqit”, thekson Instituti “Octopus”.
Në reagim thuhet se Kisha Ortodokse Serbe po shërben si faktor që zbut presionin ndërkombëtar ndaj Serbisë.
“Kisha Ortodokse Serbe aktivizohet si një faktor amortizues ndaj presionit ndërkombëtar, duke rehabilituar Millosheviqin dhe legjitimuar qëllimet e ‘Botës Serbe’. Ky është projekti hegjemonist i përshtatur në rrethanat e pasluftës, të cilin Serbia synon ta avancojë përmes strategjisë hibride”, thuhet më tej.
Instituti pretendon se deklarata nuk ofron fakte konkrete, por promovon narrativa politike.
“Deklarata nuk prezanton asnjë fakt që do të mund të ishte objekt hetimi apo monitorimi ndërkombëtar, por amplifikon narrativat politike sipas të cilave institucionet e Kosovës janë mekanizëm sistematik diskriminimi, ndërsa Policia e Kosovës instrument i shtypjes etnike”, thuhet në reagim.
Sipas “Octopus”, deklarata përmban elemente të qarta të operacioneve të ndikimit në kuadër të asaj që e cilëson si luftë hibride.
“Në aspektin e luftës hibride, deklarata përmban elemente të qarta të operacioneve të ndikimit: transferim të narrativës nga aktorët politikë te autoriteti moral i Kishës, zhvendosje të vëmendjes nga deklarata e ministres Paunoviq te ‘diskriminimi i serbëve’, amplifikim të kërcënimit përmes termave si ‘zhdukje’, ‘presion sistematik’ dhe ‘persekutim’, si dhe ndërkombëtarizim të narrativës përmes thirrjeve drejtuar KFOR-it, BE-së, OKB-së dhe organizatave ndërkombëtare”, thuhet në reagim.
Në fund, Instituti “Octopus” u bën thirrje partnerëve ndërkombëtarë që ta trajtojnë me seriozitet këtë çështje.
“Ashtu si me retorikën e dënuar të ministres Paunoviq dhe kërkesën e përsëritur ndaj Vuçiqit për dorëzimin e Radoiçiqit, Bashkimi Evropian, NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet ta trajtojnë me seriozitet edhe kërcënimin që paraqet Kisha Serbe përmes glorifikimit të terroristëve dhe dekorimit të mohuesve të gjenocidit. Nuk duhet lejuar që propaganda të maskohet si shqetësim humanitar”, përfundon reagimi i Institutit “Octopus”. /Telegrafi/
