Komuna e Junikut ka njoftuar se në Bjeshkët e Junikut u përurua sot lapidari memorial te “Rrasa e Zogut”, në nderim të dëshmorëve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në përkujtim të ngjarjeve të 17 korrikut 1998.
Sipas organizatorëve, në këtë vend kaluan mbi 1.400 ushtarë të UÇK-së duke transportuar armatim, ndërsa kolona u përball me një pritë të forcave serbe, ku ranë dëshmorë dhe u plagosën shumë luftëtarë.
Në ceremoni morën pjesë përfaqësues institucionesh, shoqatash të dala nga lufta dhe qytetarë. Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, vlerësoi rëndësinë e memorialit për ruajtjen e kujtesës historike, ndërsa lapidari u zbulua në praninë e pjesëmarrësve të betejës, familjarëve të dëshmorëve dhe përfaqësuesve institucionalë.
Lapidari do të shërbejë si simbol i përhershëm i sakrificës së luftëtarëve të UÇK-së dhe i rrugës së Kosovës drejt lirisë. /Telegrafi/
