Shkëndija ka siguruar kualifikimin në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, duke mposhtur edhe në ndeshjen e kthimit kundërshtarin nga Gjibraltari me rezultat minimal 1-0.
Skuadra tetovare e kishte kryer praktikisht punën që në takimin e parë, kur kishte triumfuar bindshëm 5-0 në transfertë, ndaj sfida e zhvilluar në Arenën Kombëtare ishte më shumë një formalitet.
Ndeshja nuk solli shumë emocione, pasi të dyja ekipet e kishin të qartë se çështja e kualifikimit ishte pothuajse e mbyllur. Megjithatë, Shkëndija ishte skuadra më kërkuese dhe krijoi rastet më të mira.
Rasti i parë serioz erdhi në minutën e 66-të, kur Zejnullahu goditi traversën. Goli i vetëm i takimit u shënua në minutën e 86-të, kur Krstevski realizoi një aksion të bukur individual, depërtoi në zonën e penalltisë dhe me një goditje të fortë e të saktë në këndin e poshtëm të majtë vulosi fitoren 1-0.
Me këtë sukses, Shkëndija e mbylli me dy fitore përballjen e raundit të parë kualifikues dhe siguroi kalimin në fazën tjetër.
Në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, skuadra nga Tetova do të përballet me ekipin slloven, Bravo. /Telegrafi/
