Kritikat e Didier Deschamps ndaj gjyqtarit në gjysmëfinalen e Kupës së Botës mes Francës dhe Spanjës kanë marrë përgjigje nga FIFA.
Presidenti i Komitetit të Gjyqtarëve të FIFA-s, Pierluigi Collina, ka dalë në mbrojtje të gjyqtarit nga Salvadori, Ivan Barton, duke kundërshtuar dyshimet e trajnerit francez për aftësinë e tij për të drejtuar një ndeshje të një niveli të tillë.
Pas humbjes 2-0 ndaj Spanjës, që i kushtoi Francës eliminimin nga turneu, Deschamps shprehu pakënaqësinë e tij për paraqitjen e gjyqtarit, edhe pse theksoi se nuk dëshironte të dukej sikur po kërkonte justifikime pas disfatës.
“Nuk po e them këtë sepse humbëm. Por a ishte gjyqtari në nivelin e kërkuar për një gjysmëfinale të Kupës së Botës? Kjo është vetëm një pyetje. Duhet ta analizoni të gjithë ndeshjen, jo vetëm situatën e penalltisë. Nuk dua të hyj në detaje”, deklaroi përzgjedhësi francez.
Komentet e Deschampsit nxitën reagim të shpejtë nga FIFA, e cila përmes Pierluigi Collinës mbrojti zgjedhjen e saj për ta caktuar Barton për një nga ndeshjet më të rëndësishme të turneut.
“Në përgjigje të komenteve të Didier Deschamps, i cili vuri në dyshim nëse gjyqtari ishte i nivelit të kërkuar për një gjysmëfinale, qëndrimi i FIFA-s është i qartë: Po, ai ishte padyshim në nivelin e duhur”, tha Collina.
Ish-gjyqtari italian, një nga figurat më të njohura të gjykimit botëror, theksoi se përzgjedhja e gjyqtarëve në Kupën e Botës bëhet mbi bazën e kritereve të rrepta dhe se të gjithë gjyqtarët e përfshirë në turne janë të përgatitur për sfida të tilla.
“Gjyqtarët tanë janë të klasit botëror”, përfundoi Collina, duke i dhënë mbështetje të plotë Ivan Bartonit dhe ekipit të arbitrimit pas përballjes së diskutuar mes Francës dhe Spanjës. /Telegrafi/
