Mbrëmja përmbyllëse e serisë së koncerteve të Jay-Z në stadiumin Yankee u shoqërua me kaos, pasi qindra persona pa bileta tentuan të hynin me forcë në stadium.
Si pasojë, hyrjet u mbyllën përkohësisht, koncerti u shty për gati katër orë dhe jashtë stadiumit u krijuan turma të mëdha.
Sipas organizatorëve, disa persona arritën të kalonin masat e sigurisë, ndërsa policia e New Yorkut ndërhyri për të vënë situatën nën kontroll.
Hyrjet u rihapën vetëm pasi u garantua siguria e publikut.
Fansat që kishin bileta treguan se pritën për orë të tëra në radhë dhe përshkruan skena paniku, ku disa njerëz humbën ndjenjat, vjellën dhe kërkuan ndihmë mjekësore.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë mijëra persona të bllokuar jashtë stadiumit shumë kohë pas orarit të planifikuar të fillimit.
Jay-Z doli në skenë rreth orës 00:15 dhe u kërkoi falje të pranishmëve për vonesën, duke shpjeguar se ajo ishte e nevojshme për të shmangur një tragjedi.
Koncerti ishte pjesë e një serie tre-ditore me të cilën reperi shënoi përvjetorët e albumeve të tij ikonike “Reasonable Doubt” dhe “The Blueprint”, ndonëse mbrëmja finale vendosi rekord pjesëmarrjeje në stadium me 45.832 spektatorë. /Telegrafi/
