Nën qiellin e hapur të Prishtinës dhe larg formalitetit të skenës klasike, publiku mbrëmë nuk ishte vetëm spektator, por u bë pjesë aktive e performancës. Me interpretime spontane, këngë të zgjedhura nga vetë pjesëmarrësit dhe një atmosferë plot energji, Open Mic Karaoke Night u mbajt si një nga risitë e edicionit të gjashtë të Rame Lahaj International Opera Festival.
Sheshi “Zahir Pajaziti” u shndërrua në skenën më të madhe të karaokes në qytet, ku për disa momente muzika bashkoi njerëz të të gjitha moshave.
Nga interpretimet plot humor e spontanitet deri te performancat e këngëtarëve profesionistë, mbrëmja dëshmoi se muzika i përket secilit dhe se skena mund të jetë e hapur për këdo që dëshiron të ndajë pasionin e tij për këngën.
Ky format i ri është pjesë e zgjerimit të programit artistik të Rame Lahaj International Opera Festival, duke e çuar festivalin përtej skenave tradicionale dhe duke e afruar muzikën me komunitetin në një mënyrë më të hapur, më spontane dhe bashkëkohore. Përmes aktiviteteve të tilla, festivali synon të krijojë përvoja ku publiku nuk është vetëm ndjekës i artit, por edhe pjesëmarrës aktiv në të.
Rame Lahaj International Opera Festival falënderon të gjithë ata që morën mikrofonin dhe ata që iu bashkuan këngës nga publiku, duke e bërë këtë mbrëmje një festë të vërtetë të muzikës dhe bashkimit.
Programi i festivalit vazhdon më 14 korrik, në hapësirën e jashtme të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, me një mbrëmje kushtuar ikonës së muzikës shqiptare Nexhmije Pagarusha, ku publiku do të ketë mundësinë të këndojë së bashku disa nga këngët më të dashura të repertorit të saj.
Rame Lahaj International Opera Festival vazhdon të sjellë aktivitete që e bëjnë muzikën më të afërt, më gjithëpërfshirëse dhe të qasshme për të gjithë, duke promovuar moton e festivalit: “Play Music, Not War”. /Telegrafi/
