Rrjeti SafeJournalists ka dënuar dhunën e raportuar të Policisë së Shtetit ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias gjatë protestës së 28 nëntorit në Tiranë, ku të paktën gjashtë përfaqësues të mediave raportohet se janë goditur, ndërsa një kamerë televizive është dëmtuar.
Në një reagim të publikuar të shtunën, ky rrjet ka shprehur shqetësim për përdorimin e forcës ndaj gazetarëve, pengimin e raportimit dhe dëmtimin e pajisjeve mediatike gjatë protestës.
Sipas deklaratës së SafeJournalists, gazetarja dhe drejtuesja e medias Shteg, Lindita Çela, është goditur me plumb gome derisa po filmonte protestën me telefonin e saj. Po ashtu, me plumba gome raportohet se janë goditur edhe Elion Deliu, operator i Top News, dhe Felix Bilani, fotoreporter i SYRI.
Ndërkaq, Lorin Kadiu, gazetar dhe drejtues i Citizens.al, ka raportuar se është goditur në këmbë me një bombolë gazi lotsjellës të lëshuar nga policia, nga një distancë prej rreth pesë metrash. Sipas tij, në momentin e incidentit ishte duke fotografuar një qytetar të lënduar dhe mbante kartën e identifikimit të medias dhe kokore me mbishkrimin “PRESS”.
SafeJournalists ka bërë të ditur se Kadiu ka pësuar gjakderdhje dhe është penguar të vazhdojë punën.
Në një tjetër incident, Elkier Bushkolaj dhe operatori Ardian Muka, të dy të SYRI TV, janë goditur nga uji me presion i autobotit të policisë. Muka ka pësuar lëndime të rënda pasi është përplasur në trotuar.
Sipas dëshmisë së Bushkolajt, policia ka lëshuar edhe një bombolë gazi lotsjellës pranë tyre, derisa kolegët po i ofronin ndihmën e parë operatorit të lënduar, duke i detyruar të zhvendoseshin brenda një godine.
Ndërkohë, sipas përditësimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të Shqipërisë, të publikuar në orën 15:15 të 28 nëntorit, katër përfaqësues të mediave, përfshirë një shtetase të huaj, ishin paraqitur të lënduar në Spitalin Universitar të Traumës. Gjendja e tyre shëndetësore ishte raportuar si e qëndrueshme.
Përveç lëndimeve ndaj gazetarëve, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka raportuar edhe thyerjen e kamerës së Report TV, e cila dyshohet se është goditur nga efektivët e Policisë së Shtetit gjatë një ndërhyrjeje policore.
SafeJournalists ka rikujtuar se këto incidente vijnë pas një serie rastesh të mëparshme të dhunës dhe pengimit të gazetarëve gjatë protestave të udhëhequra nga studentët në Shqipëri. Sipas rrjetit, ndërmjet 13 dhe 31 tetorit janë dokumentuar të paktën 55 incidente, shumica prej të cilave u janë atribuuar pjesëtarëve të Policisë së Shtetit.
Rrjeti ka kërkuar nga Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit që të marrin masa të menjëhershme për mbrojtjen e gazetarëve dhe zbatimin e udhëzimeve për sigurinë e tyre gjatë protestave.
Po ashtu, i ka bërë thirrje Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe prokurorive kompetente që të zhvillojnë hetime të shpejta, të pavarura dhe të plota për të gjitha incidentet e raportuara, të identifikojnë përgjegjësit dhe të shqyrtojnë edhe përgjegjësinë e zinxhirit komandues të policisë.
“Gazetarët duhet të kenë mundësi të dokumentojnë në mënyrë të sigurt protestat dhe veprimet e policisë”, thuhet në reagimin e rrjetit, i cili ka shprehur solidaritet me të gjithë punonjësit e medias të prekur nga incidentet.
Deklarata është nënshkruar nga asociacionet dhe shoqatat e gazetarëve të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnjë-Hercegovinës, Kroacisë, Serbisë dhe Malit të Zi.

