Gigi Hadid dhe Bradley Cooper janë fotografuar duke shijuar një mbrëmje në Paris, ku iu bashkuan edhe aktori Pedro Pascal dhe motra e tij, Lux Pascal.
Katërshja u pa duke dalë nga restoranti Stresa, ndërsa ndodhen në kryeqytetin francez për Javën e Modës.
Modelja 31-vjeçare tërhoqi vëmendjen me një fustan veror me pika dhe një të çarë të theksuar në këmbë, të cilin e kombinoi me një çantë Miu Miu, shkruan DailyMail.
Bradley Cooper, nga ana tjetër, zgjodhi një paraqitje më të thjeshtë me këmishë blu dhe kapelë bejsbolli, ndërsa Pedro Pascal u shfaq në shoqërinë e motrës së tij, Lux, e cila kishte veshur një fustan të zi elegant.
Dalja e tyre vjen vetëm një javë pasi të katërt u panë së bashku në dasmën e Taylor Swift dhe Travis Kelce, ku ishin mes të ftuarve të shumtë në ceremoninë e mbajtur në New York.
Pas eventit, Gigi udhëtoi drejt Parisit për të marrë pjesë në aktivitetet e Javës së Modës.
Bradley Cooper dhe Pedro Pascal njihen prej vitesh si miq të afërt dhe janë parë shpesh bashkë në evente të rëndësishme të industrisë së filmit.
Këtë herë, ata shijuan një darkë në kryeqytetin francez në shoqërinë e partneres së Cooper, Gigi Hadid, dhe Lux Pascal, duke tërhequr vëmendjen e fotografëve. /Telegrafi/
