Romelu Lukaku ka dërguar një mesazh të qartë para përballjes së Belgjikës me Spanjën në çerekfinalen e Kupës së Botës 2026, duke theksuar se “Djajtë e Kuq” nuk kanë arritur deri këtu vetëm për t’u eliminuar.
Sulmuesi belg beson se skuadra e tij ka cilësinë dhe forcën mendore për të rivalizuar me një nga favoritët e turneut dhe kërkon një paraqitje perfekte në stadiumin e Los Angeles.
“Nëse e kemi arritur këtë nivel, nuk do të luajmë vetëm për të humbur dhe për të shkuar në shtëpi. Kjo është një fazë vendimtare, kemi talentin e nevojshëm dhe duhet të jemi perfekt nesër”, deklaroi Lukaku në konferencën për shtyp.
Lukaku foli me respekt për Spanjën, duke vlerësuar identitetin e saj të lojës dhe cilësinë e futbollistëve që ka në përbërje.
“Spanja është një ekip shumë i fortë që ka luajtur me të njëjtën formulë që nga viti 2018. Lojtarë si Ferran Torres u japin atyre shumë thellësi në lojë”, tha sulmuesi belg.
Ai shtoi se belgët janë plotësisht të përgatitur për këtë sfidë dhe beson se ekipi i tij ka gjithçka që duhet për të luftuar për një vend në gjysmëfinale.
“Spanja është një ekip shumë i kompletuar, me lojtarë shumë inteligjentë. Prandaj duhet të zhvillojmë një ndeshje perfekte. Ne jemi shumë mirë të përgatitur dhe kemi asetet për t’u përballur me ta. Jemi në një gjendje të shkëlqyer, si fizikisht ashtu edhe mendërisht”, theksoi ai.
Lukaku foli edhe për rolin e tij në kombëtare, duke zbuluar se së fundmi ka biseduar me trajnerin Rudi Garcia për mënyrën se si mund të ndihmojë më shumë ekipin.
“Dua të kontribuoj sa më shumë, brenda dhe jashtë fushës. Mund të kem ndikim në lojë, të qetësoj frustrimet dhe të ndihmoj ekipin. Gjithçka ka të bëjë me kolektivin e kombëtares”, u shpreh ai.
Në fund, sulmuesi belg theksoi se prej kohësh ka vendosur ekipin përpara interesave personale.
“Ky ka qenë burimi im i motivimit gjatë viteve të fundit. Gjithmonë mendoj së pari për ekipin kombëtar dhe vetëm pastaj për veten time”, përfundoi Lukaku. /Telegrafi/
