Qumështorja “Vita” ka bërë të ditur se rezultatet e analizave të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV) tregojnë se produktet e saj janë 100 për qind qumësht dhe nuk përmbajnë qumësht pluhur apo vaj palme.
Përmes një reagimi publik, kompania njoftoi se, pas përfundimit të protestës së fermerëve, më 6 korrik ka pranuar një e-mail nga AUV, ku janë përcjellë rezultatet e mostrave të analizuara.
“Sipas rezultateve të analizave, produktet e qumështit Vita nuk përmbajnë qumësht pluhur dhe nuk përmbajnë vaj palme”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Vita bëri të ditur se gjatë takimit të zhvilluar ndërmjet përfaqësuesve të fermerëve, ministrit dhe përfaqësuesve të kompanisë, është arritur dakordim që përkohësisht të vazhdojë grumbullimi i qumështit nga fermerët.
Sipas kompanisë, ky vendim është marrë në interes të fermerëve dhe pas zotimit të ministrit se rezultatet e analizave të mostrave të marra më 2 korrik 2026 do të publikohen jo më larg se 13 korriku.
“Deri në atë datë, Vita do të vazhdojë mbledhjen e qumështit”, thuhet në reagim.
Qumështorja theksoi se gjatë gjithë veprimtarisë së saj ka qenë e përkushtuar ndaj cilësisë së produkteve dhe mbështetjes për fermerët vendorë.
“Si gjithmonë, Qumështorja Vita së bashku me fermerët kemi qenë dhe jemi përkrah konsumatorëve, duke ofruar kualitet dhe cilësi në produktet tona. I falënderojmë konsumatorët për besimin dhe i sigurojmë se do të vazhdojmë të jemi pranë tyre, ashtu siç kemi qenë tash e 23 vjet”, përfundon reagimi i kompanisë.
