Kompania gjermane, ZF ka prezantuar në panairin CES në Las Vegas një sistem të ri për reduktimin aktiv të zhurmës në automjete, i cili synon të përmirësojë ndjeshëm komoditetin e vozitjes.
Sistemi adreson të ashtuquajturën “zhurmë të zgavrës”, e cila krijohet nga vibrimet e ajrit brenda gomave dhe transmetohet në kabinën e automjetit përmes shasisë.
Ndryshe nga zgjidhjet tradicionale, teknologjia e re nuk përdor altoparlantë apo mikrofonë shtesë, por mbështetet në sensorë dhe aktuatorë ekzistues të shasisë për të zbuluar dhe neutralizuar vibrimet.
Të dhënat përpunohen nga një algoritëm që gjeneron sinjale kundërvepruese, të cilat dërgohen te amortizatorët gjysmë-aktivë, duke ulur zhurmën përmes mikrolëvizjeve.
ZF thotë se sistemi aktualisht mund të ulë zhurmën deri në tre decibelë, ndërsa në të ardhmen pritet të arrijë deri në dhjetë decibelë. Prodhimi serik parashikohet të fillojë në vitin 2028.
Përveç kësaj, kompania prezantoi edhe sistemin AI Road Sense, i cili përdor inteligjencë artificiale dhe sensorë (madje edhe lidar në versionet më të avancuara) për të përshtatur pezullimin në kohë reale sipas kushteve të rrugës. /Telegrafi/
