Samsung po përgatit një funksion të ri për telefonat e saj, i cili do t’i paralajmërojë përdoruesit kur është koha për ta lidhur pajisjen me karikuesin.
Funksioni i ri është zbuluar në versionin beta të ndërfaqes One UI 9.5 dhe synon të parandalojë situatat kur bateria e telefonit shpenzohet në momentet më të papërshtatshme.
Sistemi do të analizojë zakonet e përdoruesve dhe do të mësojë se në cilën kohë të ditës ata zakonisht e mbushin telefonin. Për këtë qëllim, do të shfrytëzohen të dhënat e përdorimit nga katër javët e fundit.
Në bazë të këtij historiku, telefoni do të dërgojë një njoftim kur të afrohet koha e zakonshme e mbushjes dhe niveli i baterisë të jetë ndërmjet 20 dhe 30 për qind.
Përveç paralajmërimit të zakonshëm, funksioni mund të ofrojë edhe sugjerime të personalizuara në bazë të aktiviteteve të regjistruara në kalendar.
Për shembull, nëse përdoruesi ka planifikuar një udhëtim, takim, aktivitet sportiv apo koncert, telefoni mund ta paralajmërojë paraprakisht se bateria mund të mos zgjasë deri në përfundimin e aktivitetit.
Funksioni pritet të jetë pjesë e ndërfaqes One UI 9.5 dhe mund të mos kufizohet vetëm te modelet e ardhshme të serisë Galaxy S27. Edhe pajisjet më të vjetra mund ta përfitojnë, nëse mbështeten nga përditësimi i ri.
Megjithatë, Samsung ende nuk ka bërë një njoftim zyrtar për datën e lansimit dhe modelet që do ta mbështesin këtë veçori. /Telegrafi/

