Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka uruar popullin amerikan dhe institucionet e SHBA-së, duke vlerësuar partneritetin e ngushtë dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet BQK-së dhe autoriteteve financiare amerikane.
Në një postim në profilin e tij zyrtar në Facebook, guvernatori Ismaili theksoi se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë ndërtuar mbi miqësi të qëndrueshme, vlera të përbashkëta dhe partneritet strategjik, i cili ka dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm në zhvillimin institucional, ekonomik dhe demokratik të vendit.
“Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një rast për të shprehur mirënjohjen tonë të thellë për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA-ja i ka dhënë Republikës së Kosovës në çdo etapë të shtetndërtimit dhe zhvillimit të saj. Partneriteti ynë mbetet një vlerë e çmuar dhe një garanci për avancimin e mëtejshëm të institucioneve tona”, u shpreh Guvernatori Ismaili.
Ai vlerëson se bashkëpunimin e shkëlqyeshëm që BQK ka zhvilluar ndër vite me autoritetet dhe institucionet financiare amerikane, përfshirë projektet e asistencës teknike dhe shkëmbimin e ekspertizës, të cilat kanë kontribuar në forcimin e kapaciteteve institucionale të BQK-së, ruajtjen e stabilitetit financiar, avancimin e integritetit të sistemit financiar dhe përafrimin me standardet më të mira ndërkombëtare.
Në përmbyllje të mesazhit të tij, guvernatori i BQK-së ka shprehur mirënjohjen për partneritetin, mbështetjen dhe miqësinë e palëkundur ndërmjet dy vendeve.
