Zyra e Ombudspersonit në Hagë ka publikuar në llogarinë e saj zyrtare në platformën X një deklaratë të Avokatit të Popullit në Dhomat e Specializuara të Kosovës, Pietro Spera, lidhur me punën e tij në mbikëqyrjen e kushteve të paraburgimit.
Spera ka shpjeguar se roli i tij është të monitorojë kushtet në të cilat mbahen të paraburgosurit dhe të sigurohet që gjatë trajtimit të tyre të respektohen standardet ndërkombëtare.
“Në kuadër të inspektimeve, u ofroj të paraburgosurve mundësinë që të zhvillojnë takime private dhe konfidenciale me mua. Disa kanë zgjedhur ta shfrytëzojnë këtë mundësi, ndërsa disa të tjerë jo. Javën e kaluar realizova inspektimin tim të 11-të dhe jam i kënaqur që kushtet e paraburgimit përmbushin standardet më të larta”, është shprehur Spera. /Telegrafi/
