Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shpallur zyrtarisht 4 Korrikun si “Ditën e Miqësisë Amerikane në Prishtinë”, duke e cilësuar këtë si një akt institucional që konfirmon partneritetin strategjik të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një komunikatë për media, Komuna e Prishtinës bëri të ditur se me këtë vendim, Kryeqyteti ka vulosur institucionalisht aleancën me SHBA-në, duke theksuar se ajo tejkalon ciklet politike, mandatet dhe ndryshimet e qeverisjes.
“Mesazhi i këtij akti është i qartë. Orientimi ynë strategjik dhe partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i panegociueshëm”, ka deklaruar Rama.
Ai theksoi se vendimi paraqet një angazhim institucional për ruajtjen dhe forcimin e marrëdhënieve me SHBA-në.
“Ky është një angazhim institucional për ta ruajtur dhe forcuar aleancën që ishte vendimtare për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës dhe që mbetet thelbësore për të ardhmen euroatlantike të vendit tonë”, është shprehur kryetari i Prishtinës.
Sipas Komunës së Prishtinës, shpallja e 4 Korrikut si “Dita e Miqësisë Amerikane” synon të nderojë marrëdhëniet e veçanta ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe të riafirmojë orientimin euroatlantik të vendit.
