Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka vizituar fshatin Dardani të Ferizajt për të parë nga afër gjendjen e krijuar pas reshjeve të dendura të shiut që kanë përfshirë zonën një ditë më parë.
Ai ka bërë të ditur se ekipet e mirëmbajtjes janë udhëzuar që të nisin menjëherë sanimin e dëmeve në infrastrukturën rrugore, përfshirë riparimin e trotuareve të dëmtuara.
“Sot isha në terren për të parë nga afër gjendjen në fshatin Dardani të Ferizajt, pas reshjeve të dendura të shiut që kishim dje. Së bashku me kompaninë e mirëmbajtjes, i udhëzova ekipet që të fillojnë menjëherë sanimin e dëmeve në rrugë, duke përfshirë edhe riparimin e trotuareve të dëmtuara”, ka deklaruar Basha.
Ministri ka theksuar se institucionet do të reagojnë në rastet e fatkeqësive natyrore, ndërsa ka paralajmëruar edhe projekte afatgjata për zgjidhjen e problemit të ujërave atmosferike.
“Fatkeqësitë natyrore nuk mund t’i parandalojmë, por do t’jemi aty për të reaguar kur paraqitet nevoja”, ka shtuar ai.
Sipas Bashës, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit është duke punuar në hartimin e një projekti që synon zgjidhje afatgjatë të problemeve në këtë zonë.
“Ministria tashmë është në fazën e hartimit të projektit që do të sjellë një zgjidhje afatgjatë për pjesën më të madhe të këtij problemi, përmes ndërtimit të një sistemi adekuat për largimin e ujërave atmosferike”, ka bërë të ditur ai.
Ai ka theksuar gjithashtu nevojën për bashkëpunim me qytetarët, duke përmendur edhe ndikimin e keqmenaxhimit të ujërave nëntokësore.
“Megjithatë, një pjesë e problemeve po shkaktohet edhe nga keqmenaxhimi i ujërave nëntokësore nga disa banorë të zonës, prandaj kërkojmë bashkëpunimin e të gjithëve për ta parandaluar përsëritjen e dëmeve”, ka deklaruar Basha.
Në fund, ministri ka bërë thirrje për kujdes gjatë qarkullimit në këtë segment deri në përfundimin e punimeve të rehabilitimit. /Telegrafi/
