Lutfi Dalipi ka shënuar pesë gola dhe ka dhënë nëntë asistime në këtë sezon të Superligës së Zvicrës. Futbollisti 20-vjeçar, për të cilin interesim kanë shfaqur disa klube evropiane, po shkëlqen me fanellën e Vaduzit, duke regjistruar 14 kontribute në gola në 12 ndeshje.
Derisa në nivel klubesh gjithçka po shkon mirë për Dalipin, e ardhmja e tij në arenën ndërkombëtare ka qenë një pikëpyetje e madhe. Ai kishte të drejtë të përfaqësonte Zvicrën, Portugalinë, Kosovën ose Shqipërinë.
Tashmë duket se dilema është zgjidhur. Talenti i lindur në Billens të Zvicrës ka vendosur të mos luajë për përfaqësuesen helvetike, ka raportuar të enjten mediumi zviceran “Blick”.
Ndërkaq, sipas informacioneve të “20 Minuten”, Dalipi e ka njoftuar përzgjedhësin e Zvicrës U21, Alex Frei, se nuk mund të llogarisë më në shërbimet e tij në të ardhmen.
Frei thuhet se është befasuar nga ky vendim, por e ka mirëkuptuar futbollistin. Dalipi nuk dëshiron të zërë një vend në ekipin U21 të Zvicrës, pasi ka vendosur të mos e përfaqësojë këtë shtet. Ai synon t'ia lërë hapësirën një futbollisti tjetër që do të jetë pjesë e përfaqësueses zvicerane në vazhdimësi.
Nga rrethi i afërt i futbollistit bëhet e ditur se ky është një vendim që lidhet me ndjenjat dhe rrënjët familjare.
Sulmuesi, i cili është rritur në Billens të kantonit Vaud të Zvicrës, ka baba nga Kosova dhe nënë nga Portugalia. Ai dëshiron të ndjekë prejardhjen familjare dhe në të ardhmen të luajë për Kosovën ose Shqipërinë. Megjithatë, ende nuk dihet se cilën prej këtyre dy përfaqësueseve do ta zgjedhë.
Në anën tjetër, konkurrenca në repartin ofensiv të Zvicrës është shumë e madhe. Përveç Winsley Botelit dhe Alvyn Sanchesit, në këtë pozitë janë edhe disa futbollistë të tjerë të rinj që presin rastin e tyre.
Sipas personave të afërt me Dalipin, mund të kalonin edhe disa vite para se ai të kishte mundësinë të aktivizohej me përfaqësuesen e parë të Zvicrës.
Për këtë situatë ka folur edhe përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin.
“Lutfi Dalipi është një lojtar interesant, i cili mund të luajë edhe për U21-shin. Nëse i kam në dispozicion të gjithë lojtarët e mesfushës, për momentin është e vështirë të gjesh hapësirë në ekip”, ka deklaruar Yakin.
Ai ka shtuar se lojtarët që kanë bërë paraqitje të mira deri më tani meritojnë të ftohen sërish.
“Nuk mund t'i ftojmë të gjithë futbollistët me dy shtetësi dhe t'u japim nga një minutë lojë. Kjo nuk do të ishte e drejtë ndaj lojtarëve të tjerë”, ka thënë Yakin.
Paraqitjet e Dalipit nuk kanë kaluar pa u vërejtur as jashtë Zvicrës. Sipas “20 Minuten”, për shërbimet e tij ka interesim nga klube të Bundesligës gjermane dhe Serie A italiane. /Klankosova.tv

