Qytetarët janë njoftuar për një devijim të përkohshëm të komunikacionit, për shkak të vazhdimit të punimeve në ndërtimin e mbikalimit Grabanicë-Zajmë.
Sipas njoftimit të publikuar nga kompania “Benita Company” ShPK, gjatë ditës së sotme qarkullimi i automjeteve do të ridrejtohet përkohësisht në rrugën e re të ndërtuar, me qëllim mundësimin e vazhdimit të punimeve në këtë projekt infrastrukturor.
“Për shkak të vazhdimit të punimeve në ndërtimin e mbikalimit Grabanicë-Zajmë, sot gjatë ditës komunikacioni do të devijohet përkohësisht në rrugën e re të ndërtuar”, thuhet në njoftim.
Kompania u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë sinjalizimin rrugor.
“Lusim të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion të respektojnë sinjalizimin e vendosur dhe kufizimet e shpejtësisë”, thuhet më tej në njoftim.
Nga kompania “Benita Company” ShPK është kërkuar mirëkuptimi dhe bashkëpunimi i qytetarëve deri në përfundimin e punimeve. /Telegrafi/
