Belgjika ka regjistruar numrin më të lartë ndonjëherë të largimeve të qytetarëve të Bashkimit Evropian, sipas raportit më të fundit të agjencisë belge për migracionin Myria.
Gjatë vitit 2024, nga Belgjika u larguan gjithsej 61.338 qytetarë të vendeve të BE-së, shifra më e lartë e regjistruar deri më tani. Në mesin e tyre, numrin më të madh e përbëjnë rumunët me 15.414 persona, të ndjekur nga francezët me 10.442 dhe holandezët me 6.256 largime.
Sipas Myria-s, emigrimi i qytetarëve evropianë është një fenomen kompleks dhe lidhet me mënyrat e ndryshme të lëvizjes së secilit komunitet. Organizata thekson se këto dinamika janë të vështira për t’u parashikuar, pasi varen edhe nga arsyet fillestare që i kanë sjellë këta persona në Belgjikë.
Ndërkohë, numri i të ardhurve në Belgjikë ka mbetur relativisht i qëndrueshëm. Në vitin 2024, në vend u regjistruan 171.706 emigrantë të huaj, një shifër e ngjashme me vitin 2023, por më e lartë krahasuar me periudhën para pandemisë së COVID-19.
Pothuajse gjysma e emigrantëve të rinj vijnë nga një shtet tjetër i Bashkimit Evropian. Pas tyre renditen të ardhurit nga vende evropiane jashtë BE-së, Azia, Afrika dhe kontinenti amerikan, raportojnë mediat.
Grupi më i madh i emigrantëve të rinj ishin rumunët, me 18.845 persona, kryesisht burra, ku arsyeja kryesore e migrimit ishte punësimi. Pas tyre renditen shtetasit nga Franca, Ukraina, Holanda, Spanja dhe Maroku.
Raporti vëren gjithashtu dallime gjinore në migracion. Franca ka numrin më të madh të emigranteve gra, ndërsa nga Amerika Latine, Karaibet dhe Azia Lindore, në Belgjikë kanë ardhur më shumë gra sesa burra.
Sipas të dhënave demografike, më 1 janar 2025 Belgjika kishte 11.825.551 banorë, prej të cilëve rreth 1.63 milionë ishin shtetas të huaj. Personat me origjinë të huaj përbëjnë rreth 22 për qind të popullsisë së përgjithshme të vendit. /Telegrafi/
