Rusia fillimisht kishte planifikuar të fillonte agresionin e drejtpërdrejtë ndaj vendeve anëtare të NATO-s deri në vitin 2030, por sipas informacionit të fundit, Kremlini ka rishikuar planet e tij dhe ka vendosur të shkurtojë këtë afat, duke e parashikuar fillimin e një operacioni të mundshëm ushtarak që në vitin 2027.
Këtë e bëri të ditur kreu i inteligjencës ukrainase, Kyrylo Budanov, i cili theksoi se kjo ndryshon ndjeshëm parashikimet strategjike të vendeve perëndimore për sigurinë në kontinentin evropian.
Ai shtoi se ky zhvillim tregon synimet agresive të Moskës dhe përshpejtimin e agjendës së saj ushtarake, raportojnë mediat ukrainase.
Budanov u shpreh gjithashtu se Rusia ka plane konkrete për të pushtuar shtetet baltike, duke përfshirë Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë, një veprim që do të përbënte një kërcënim të madh për stabilitetin në Evropën Veriore dhe për sigurinë e aleatëve të NATO-s në rajon.
Nga ana tjetër, ai theksoi se Polonia, sipas perceptimit rus, nuk është objekt i pushtimit të drejtpërdrejtë, por shihet si një objektiv për sulme të kufizuara, për një fushatë ushtarake që synon goditje të shpejta dhe strategjike, pa një qëllim për të marrë kontrollin e territorit.
Kjo, sipas Budanov, tregon një ndryshim të qartë në taktikat dhe strategjitë që Rusia mund të përdorë kundër vendeve perëndimore, duke e bërë situatën e sigurisë në Evropë më të ndjeshme dhe të paparashikueshme. /Telegrafi/