Pas vendimit të Bordit Drejtues të Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC) për ta emëruar Louis J. Crishock ushtrues detyre të përfaqësuesit të lartë për Bosnjë e Hercegovinën, ai sot zyrtarisht ka marrë detyrën nga shefi i deritanishëm i Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR), Christian Schmidt.
Dorëzimi i detyrës u bë sot, duke shënuar fillimin zyrtar të mandatit të Crishockut në krye të OHR-së, shkruan klix.ba.
Përfaqësuesi i ri në detyrë shprehu mirënjohje për besimin që i është dhënë nga Bordi Drejtues i PIC-ut.
“Jam i nderuar nga besimi që më ka dhënë Bordi Drejtues i Këshillit për Zbatimin e Paqes. Këtë mandat do ta zbatoj në përputhje me Marrëveshjen e Përgjithshme Kornizë për Paqen dhe kompetencat që i janë besuar përfaqësuesit të lartë”, deklaroi Crishock.
Duke folur për prioritetet gjatë mandatit të tij, Crishock theksoi se drejtimi i veprimit të OHR-së nuk do të ndryshojë dhe se në qendër të vëmendjes do të mbetet stabiliteti i shtetit.
“Do të vazhdojmë të përqendrohemi në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, mbështetjen e institucioneve të Bosnjë e Hercegovinës, si dhe garantimin e respektimit të plotë të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit dhe rendit kushtetues të Bosnjë e Hercegovinës”, tha ai.
Përfaqësuesi i deritanishëm i lartë, Christian Schmidt, shfrytëzoi rastin për ta uruar ushtruesin e ri të detyrës, duke i dëshiruar sukses në kryerjen e përgjegjësive të rëndësishme që i janë besuar në Bosnjë e Hercegovinë. /Telegrafi/
