Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar dy vendime që lidhen me menaxhimin e financave publike dhe administrimin e pasurisë së konfiskuar.
Në mbledhje është miratuar Raporti i Konsoliduar Vjetor për Funksionimin e Sistemit të Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike në subjektet e sektorit publik për vitin 2025.
Po ashtu, ekzekutivi ka miratuar vendimin për autorizimin e Ministrisë së Financave që të ndërmarrë veprimet e nevojshme për hapjen e një llogarie të dedikuar në kuadër të Llogarisë së Vetme të Thesarit (LlVTH), me emërtimin “Fondi i Konfiskimit”.
Sipas vendimit, kjo llogari do të shërbejë ekskluzivisht për pranimin dhe evidentimin e të hyrave që rrjedhin nga konfiskimi i pasurisë me vendime gjyqësore të formës së prerë.
Qeveria ka bërë të ditur se krijimi i kësaj llogarie synon të sigurojë administrim më të organizuar dhe më transparent të mjeteve financiare që burojnë nga konfiskimi i pasurisë.
