Ukraina ka kryer një sulm me dron ndaj një qendre të komunikimit satelitor të Rusisë në Dubna, pranë Moskës.
Kështu ka bërë të ditur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili ka deklaruar se ky objekt është goditur për herë të dytë.
Sipas liderit ukrainas, qendra ruse, e cila ndodhet mbi 500 kilometra larg kufirit ukrainas, përdorej për operacione zbulimi dhe për koordinimin e veprimeve ushtarake të Moskës në luftën kundër Ukrainës.
Presidenti ukrainas tha se forcat e Kievit së fundmi kanë arritur të godasin katër qendra të ngjashme ruse, duke theksuar se këto operacione janë pjesë e një strategjie më të gjerë për të kufizuar aftësitë ushtarake të Rusisë.
“Ne po zbatojmë hap pas hapi planin tonë të sanksioneve me rreze të gjatë dhe po e bëjmë sa më të vështirë për shtetin agresor zhvillimin e operacioneve të pushtimit kundër Ukrainës dhe okupimin e territoreve tona”, deklaroi Zelensky në një reagim të publikuar në platformën X.
Ai shtoi se Ukraina po përgatit edhe operacione të tjera kundër objekteve të ngjashme ushtarake ruse. /Telegrafi/
