Ish-ylli i Holandës, Ronald De Boer, ka parashikuar dy ndryshime të mëdha pas eliminimit të kombëtares në Kupën e Botës.
Kjo vjen pas humbjes me penallti ndaj Marokut në fazën e 1/16-ës, të hënën mbrëma. Skuadra e Ronald Koeman u mposht 3-2 nga pika e bardhë, pas barazimit 1-1 në kohën e rregullt ndaj kundërshtarëve afrikanë.
Si pasojë, ky turne shënon herën e parë që Holanda kualifikohet në Botëror dhe nuk arrin të kalojë në 1/8 e finales.
De Boer, i cili ka 67 paraqitje me kombëtaren, beson se Koeman do të largohet nga posti i trajnerit. 63-vjeçari është pa kontratë në fund të turneut.
Gjithashtu, ai parashikon edhe tërheqjen e Virgil Van Dijk nga futbolli ndërkombëtar.
“Le ta them kështu, mendoj se ai do ta bëjë vetë, sepse presioni është shumë i madh. Ai ka thënë se do ta mendojë për një ose dy net, por 100% do të largohet”.
“Ai do të largohet sipas kushteve të tij, sepse nëse nuk e bën vetë, atëherë Nigel De Jong do ta bëjë si drejtor teknik”.
“Na duhet një energji e re në këtë ekip dhe gjithçka fillon me trajnerin, mendoj se kjo do të ndodhë”.
“Mendoj se së shpejti do ta dëgjojmë këtë, dhe gjithashtu Van Dijk, i cili ishte kapiten i madh, mund të thotë se kjo ishte ndeshja e tij e fundit”.
“Ka pasur kritika, por gjithsesi Van Dijk meriton respekt të madh, ka qenë kapiten i shkëlqyer, por ndonjëherë vjen momenti për t’u larguar”, deklaroi De Boer./Telegrafi/
