Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) ka shprehur shqetësim dhe kundërshtim të ashpër ndaj vendimit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe Qeverisë së Kosovës për reduktimin e Grantit të Performancës Komunale nga 4 milionë euro në 2 milionë euro.
Sipas AKK-së, ky vendim bie ndesh me Ligjin për Ndarjet Buxhetore për vitin 2026, i cili është miratuar nga Kuvendi i Kosovës dhe përcakton qartë shumën prej 4 milionë eurosh për Programin e Grantit të Performancës Komunale.
Në reagimin e saj, AKK thekson se pa një rishikim të buxhetit nga Kuvendi, asnjë institucion ekzekutiv nuk ka të drejtë të ndryshojë fondet e miratuara me ligj.
“Ky veprim është në kundërshtim me parimin e sundimit të ligjit dhe cenon rëndë sigurinë juridike dhe financiare të komunave”, thuhet në deklaratë.
Bordi i AKK-së vlerëson se Kuvendi është institucioni i vetëm me mandat për të miratuar dhe ndryshuar ndarjet buxhetore, ndërsa ministritë nuk kanë kompetencë të përgjysmojnë fondet e përcaktuara me ligj.
Sipas tyre, 4 milionë eurot janë dedikuar ekskluzivisht për Grantin e Performancës Komunale dhe vetë Ligji për Ndarjet Buxhetore e identifikon këtë program si projekt të veçantë kapital në kuadër të MAPL-së.
AKK thekson se komunat kanë nevojë për siguri dhe parashikueshmëri buxhetore për të planifikuar investimet dhe projektet e tyre, ndërsa ndryshimi i rregullave gjatë vitit, sipas saj, cenon drejtpërdrejt këtë parim dhe krijon pasiguri në sistemin e financimit lokal.
Për këtë arsye, Asociacioni kërkon rikthimin e menjëhershëm të shumës së plotë prej 4 milionë eurosh, ndalimin e çdo veprimi administrativ që bie ndesh me ligjin dhe respektimin e plotë të vendimeve të Kuvendit të Kosovës.
Në fund të reagimit, AKK paralajmëron se rezervon të drejtën që, në bashkëpunim me komunat, të ndërmarrë të gjitha veprimet institucionale dhe juridike për mbrojtjen e interesave të komunave dhe zbatimin e ligjit, duke theksuar se “ligji duhet të respektohet nga të gjithë, e veçanërisht nga institucionet që kanë për obligim ta zbatojnë”./Telegrafi.
