Zjarrfikësit e Deçanit kanë bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme kanë ndërhyrë për shuarjen e dy vatrave të zjarrit, të cilat dyshohet se ishin shkaktuar gjatë tentativës për pastrimin e sipërfaqeve me djegie.
Sipas njoftimit të tyre, rreth mesditës, kur temperaturat ishin shumë të larta, dikush i kishte vënë zjarr varrezave në Kodrali dhe zonës me gështenja në Pod të Gështenjave.
Zjarrfikësit theksojnë se falë njoftimit me kohë dhe reagimit të shpejtë të ekipeve të tyre, zjarri është lokalizuar dhe shuar para se të përhapej më tej.
Ata u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin ndezjen e zjarreve në kushte të temperaturave të larta, pasi rreziku për përhapjen e flakëve është shumë i madh. /Telegrafi/
