Trajneri i Romës, Gian Piero Gasperini, ka konfirmuar se verën e kaluar refuzoi Juventusin për të marrë drejtimin e Giallorossëve, pasi sipas tij, sfida në kryeqytet ishte “më e vështirë”, ndërsa përballjet me bardhezinjtë mbeten gjithmonë të forta për shkak të cilësisë së lartë që ata posedojnë.
Gasperini foli në një konferencë për shtyp të premten, në prag të ndeshjes së Serie A ndaj Juventusit në “Allianz Stadium” në Torino.
Roma e emëroi Gasperinin trajner verën e kaluar, por në atë periudhë u raportua se Drejtori i Juventusit, Damien Comolli, i kishte ofruar gjithashtu stolin e “Zonjës së Vjetër”. Tashmë, tekniku italian ka shpjeguar arsyen pse zgjodhi Romën dhe jo Juventusin.
“Sepse ishte më e vështirë. Jam i kënaqur me mënyrën se si shkoi gjithçka”.
Ai më pas u ndal te përballja e radhës ndaj Juventusit, duke theksuar rëndësinë dhe vështirësinë e saj.
“Tani na pret kjo ndeshje e rëndësishme. Juventusi mbetet një skuadër e madhe, sigurisht e fortë dhe gjithmonë e aftë të përforcohet. Fitimi është në ADN-në e tyre. Ne vijmë në këtë ndeshje pas një paraqitjeje të mirë ndaj Comos dhe në Glasgow dhe duam ta testojmë veten kundër kësaj skuadre”.
Gasperini vlerësoi edhe ecurinë e Romës gjatë sezonit, duke nënvizuar stabilitetin e ekipit.
“Mendoj se kemi qenë mirë: 15 ndeshje janë një seri e mirë për të dhënë disa tregues. Nuk e di nëse jemi mes më të mirëve, por djemtë kanë qenë të shkëlqyer pothuajse në çdo ndeshje, edhe kur nuk kemi arritur të fitojmë”.
Tekniku i Romës theksoi se kjo periudhë e sezonit është vendimtare, sidomos për shkak të renditjes aktuale.
“Është e rëndësishme që ata të përpiqen të na afrohen dhe për ne të ruajmë ose të rrisim avantazhin. Jemi më 19 dhjetor, përqendrimi është maksimal dhe është shumë emocionuese ta luash këtë ndeshje me këtë renditje. Të tjerat mund të presin, ky nuk është momenti”.
Roma aktualisht mban vendin e katërt në renditjen e Serie A, me katër pikë më shumë se Juventusi i vendit të pestë, çka e bën përballjen e së shtunës kyçe në garën për një vend në Ligën e Kampionëve.
Gasperini u pyet edhe për raportin e tij me trajnerin e Juventusit, Luciano Spalletti, i cili mori drejtimin e bardhezinjve në fund të tetorit, pas largimit të Igor Tudorit.
“Sigurisht që është miqësor. Kur ai ishte te Interi, na ndodhte të hanim darkë bashkë dhe shpesh flisnim edhe kur ishte me kombëtaren”.
“Tani flasim më pak, por do të përshëndetemi me korrektësi. Nuk është e lehtë të emërohesh në mes të sezonit, por ai po përpiqet të sjellë idetë e tij. Të përballesh me ta është gjithmonë e vështirë, sepse kanë lojtarë të nivelit të lartë”.
Në fund, Gasperini foli edhe për rivalitetin me Juventusin dhe rëndësinë që ka pasur ky klub në karrierën e tij.
“Rivaliteti me Juventusin ndihet në çdo qytet. Kam qenë në klub si trajner i moshave dhe përballja e vazhdueshme me kundërshtarë të motivuar e forconte ekipin. Në vend që të jetë disavantazh, kthehet në avantazh. Juventusi ka qenë gjithmonë një pikë referimi në karrierën time. Kur i mposht, do të thotë se je konkurrues, edhe në sezonet më pak të suksesshme; ata mbeten gjithmonë mes skuadrave më të mira”./Telegrafi