Policia e Kosovës ka arrestuar një shtetas spanjoll të dyshuar për rrëmbimin e vajzës së tij gjashtëvjeçare, duke i dhënë fund një operacioni ndërkombëtar që zgjati rreth dy javë.
Sipas mediave spanjolle, burri ishte larguar me vajzën nga Mallorca, duke e fshehur gjatë udhëtimit dhe duke kaluar kufijtë deri në Kosovë.
Më 24 qershor, autoritetet kosovare arritën ta lokalizonin fëmijën dhe ta ndalonin të dyshuarin.
Për afro dy javë, autoritetet spanjolle ishin në kërkim të babait, i cili ishte zhdukur së bashku me vajzën e tij.
Hetimet zbuluan se ai e kishte fshehur fëmijën në bagazhin e automjetit për t’u larguar nga Mallorca, ndërsa më pas nuk kishte asnjë informacion për vendndodhjen e tyre.
Sipas hetuesve, i dyshuari kishte hartuar një plan të detajuar për të humbur gjurmët. Ai kishte vendosur pajisjen gjurmuese AirTag, që ndodhej në çantën e vajzës, në një dërgesë postare drejt Marokut, me synimin për të mashtruar autoritetet, ndërsa vetë kishte ndjekur një itinerar krejtësisht tjetër.
Gjatë hetimeve u zbulua gjithashtu se ai kishte mbyllur llogaritë bankare, kishte fshirë profilet në rrjetet sociale dhe kishte ndryshuar gradualisht pamjen e tij fizike për të shmangur identifikimin.
Pas bashkëpunimit mes autoriteteve ligjzbatuese të disa vendeve evropiane, hetuesit arritën në përfundimin se vendndodhja më e mundshme e të dyshuarit ishte Kosova.
Operacioni u finalizua më 24 qershor, kur Policia e Kosovës e ndaloi të dyshuarin gjatë një kontrolli dhe lokalizoi vajzën gjashtëvjeçare, e cila u gjet në gjendje të mirë shëndetësore.
Fëmija u vendos menjëherë nën kujdesin e autoriteteve kompetente, ndërsa babai i saj u arrestua dhe po përballet me procedurat ligjore përkatëse. /Telegrafi/
